image Ekspertiza për mbetjet mortore që u gjetën dje në Prizren: Besohet se i takojnë luftës së fundit

Sociale

Ekspertiza për mbetjet mortore që u gjetën dje në Prizren: Besohet se i takojnë luftës së fundit

news image

Disa mbetje mortore të njeriut janë gjetur mëngjesin e djeshëm, rreth orës 09:50 në varrezat e lagjes “Tususi” në Prizren, shkruan Gazeta Sinjali.

Këto mbetje i kishte gjetur një banor derisa kishte qenë duke e hapur një varr.

Ajo që nxiti dyshimet rreth këtij rasti, ishte fakti se me kockat u gjet edhe një këmbë e pantallonave dhe një palë atlete, që krijonte mundësinë që trupi të jetë varrosur i veshur.

“Ky është rast i veçantë për shkak se përveç se janë gjetur disa kocka, të cilat dyshohet se janë të njeriut, në varr është gjet edhe një këmbë e pantallonave dhe një palë atlete”, tha për Gazetën Sinjali zëdhënësi i policisë së Prizrenit, Shaban Osmanollaj.

Mbetjet mortore të gjetura janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Drejtori i këtij instituti, Arsim Gërxhaliu, tha për Gazetën Sinjali se këto mbetje mortore janë të njeriut dhe besohet se i takojnë periudhës së luftës së fundit në Kosovës, për çka njoftoi se në këtë lokacion do të fillojnë gërmimet.

“Janë ekzaminu ato pjesët kockore, janë me origjinë të njeriut, nuk përjashtohet mundësia t’i takojnë edhe luftës së fundit. Ky është rezultati i ekpertizës, pas ekzaminimit të mbetjeve. Andaj, ne sipas procedurës, u propozojmë organeve hetimore që të vazhdojnë edhe me kontrollimin e terrenit, aty ku janë gjetur dhe më pas ne të vazhdojmë me gërmime”, tha Gërxhaliu.

Kujtojmë që më 16 nëntor të këtij viti në lokacionin e quajtur Kizhevak afër Rashkës në Serbi janë gjetur disa mbetje mortore, për të cilat u tha se i takojnë të vrarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë./Gazeta Sinjali/