Secili shtet në botë duhet të presë raste të koronavirusit, sepse epidemia sapo ka filluar të përhapet jashtë Kinës, sipas një eksperti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Zyrtarët shëndetësorë në Kinë kanë pretenduar se virusi mund të zhduket plotësisht deri në muajin prill, pas raportimit të numrit më të vogël të rasteve të reja për 24 orë në dy javët e fundit, shkruan “Daily Mail”.
Megjithatë, një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha se përderisa epidemia mund ta ketë arritur kulmin në Kinë, gjendja do të vazhdojë të përkeqësohet në pjesën tjetër të botës.
Dale Fisher, ekspert australian i sëmundjeve ngjitëse, tha: “Virusi është përhapur në vende të tjera, ku është fillimi i epidemisë. Në Singapor jemi në fillim të epidemisë. Kam goxha besim se secili shtet do ta ketë një rast.”
Nga koronavirusi deri më tash kanë vdekur më shumë se 1100 persona dhe janë infektuar mbi 46 mijë, shumica prej të cilëve në Kinë.
Ndryshe, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Dr.Tedros Ghebreyesus, tha se epidemia e koronavirusit mund të zgjasë për më shumë se një vit dhe se vaksina kundër saj mund të jetë e gatshme vetëm pas së paku 18 muajve. /Gazeta Sinjali/