George Floyd vdiq nga mungesa e oksigjenit pasi iu vendos gjuri në qafë, ka thënë një mjek në gjyqin e ish-oficerit të policisë Derek Chauvin në Minneapolis.
Mjeku i kujdesit intensiv, Martin Tobin, ka thënë se Floydi kishte vdekur nga asfiksia nga mënyra se si u mbajt.
Oficeri Chauvin u filmua duke i mbajtur gjurin në qafë Floydit për më shumë se nëntë minuta gjatë arrestimit të tij majin e kaluar.
Ish-oficeri është në gjyq për vrasje dhe ka mohuar akuzat kundër tij.
Filmimet e dala në rrjetet sociale nga ai incident nxitën protesta globale kundër racizmit.
Gjyqi është në javën e tij të dytë dhe pritet të zgjasë të paktën një muaj. Mbrojtja pritet të fillojë të argumentojë çështjen e saj javën tjetër. /Gazeta Sinjali/