Në Kinë, këtë vit është duke u rritur numri i njerëzve të prekur nga gripi i shpezëve. Ekspertët janë të shqetësuar nga kjo dhe thonë se ky variant që ka qarkulluar më parë duket se ka ndryshuar dhe se mund të jetë më ngjitës te njerëzit.
Gjatë këtij viti Kina ka raportuar 21 infektime me nën-variantin H5N6 të gripit të shpezëve, në krahasim me vetëm pesë raste që kanë qenë vitin e kaluar.
Ndonëse këto shifra janë shumë më të vogla se qindra rastet me gripin H7N9 në vitin 2017, infeksionet janë serioze, duke lënë shumë prej të infektuarve në gjendje kritike dhe së paku gjashtë të vdekur, shkruan Reuters.
“Rritja e numrit të rasteve në njerëz në Kinë këtë vit është për shqetësim. Është një virus që shkakton vdekshmëri të lartë”, tha Thijs Kuiken, profesor i patologjisë krahasimtare në Qendrën Universitare Mjekësore “Erasmus” në Roterdam të Holandës.
Shumica e rasteve kanë pasur kontakt me shpezë dhe nuk ka raste të konfirmuara që janë përhapur nga njeriu në njeri, tha OBSh-ja, që e theksoi rritjen e numrit përmes një deklarate të publikuar më 4 tetor.
Përderisa janë raportuar raste me gripin H5N6, në sektorin e shpezërisë në Kinë nuk janë raportuar përhapje të këtij gripi që nga shkurti i vitit të kaluar. /GazetaSinjali/