Mjekët nuk duhet ta përdorin plazmën konvalshente si trajtim standard për COVID-19 derisa të jenë kryer studime të tjera. Kërkesa vjen nga një panel ekspertësh i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë në SHBA.
Ky paralajmërim vjen pak më shumë se një javë pasi Agjencia e Ilaçeve dhe Ushqimeve autorizoi përdorimin e plazmës dhe presidenti Donald Trump e cilësoi këtë hap historik. Por Instituti Kombëtar i Shëndetësisë tha në një deklaratë se nuk ka të dhëna mjaftueshëm për përdorimin e plazmës së personave të shëruar si trajtim për koronavirusin.
Aktualisht janë tri vaksina në fazën e tretë të eksperimenteve te njerëzit në SHBA, por mjeku Anthony Fauci këmbëngul se siguria e provuar është më e rëndësishme së shpejtësia.
“Nuk do ta donit një vaksinë të disponueshme për publikun e gjerë nëse nuk do të ishte e sigurt”, u shpreh ai.
Pasi tha se një vaksinë mund të autorizohet për përdorim emergjent para përfundimit të fazës së tretë, kreu i Agjencisë së Ilaçeve dhe Ushqimit pohoi se mund ta konsideronte dorëheqjen nëse do të nxitej ta miratonte vaksinën përpara se ajo të ishte gati.
“Mendoj se të gjitha mundësitë janë në tryezë. Shpresoj të mos jem në një pozitë të tillë”, tha Dr. Stephen Hahn, komisioner i FDA-së.
Nëse një vaksinë do të miratohet fillimisht do të jetë në sasi të limituar.
“Shumë kompani që janë në fazën e tretë të eksperimenteve flasin për vaksina me dy doza”, tha Dr. Richina Bicette, nga Kolegji Baylor i Mjekësisë.
Por cilët do ta marrin të parët?
Një komisioni i pavarur që këshillon qeverinë federale publikoi një propozim prej 4 fazash që fillon me punonjësit e shëndetësisë dhe njerëz që janë më të rrezikuar nga COVID-19. Numri mesatar i rasteve ditore dhe vdekjeve nga COVID-19 në SHBA ka rënë përgjatë 7 ditëve të fundit, ndërsa vala e infektimeve duket se po zhvendoset nga jugu drejt shteteve qendrore. /Gazeta Sinjali