Më shumë se 150 ekspertë mjekësorë, shkencëtarë, mësues dhe ekspertë të tjerë kanë nënshkruar një letër duke kërkuar nga udhëheqësit që të mbyllin tërë shtetin e SHBA-së, në mënyrë që të parandalojnë përhapjen e koronavirusit.
“Në këtë moment, jemi në rrugën e humbjes së më shumë se 200,000 jetëve në Amerikë deri më 1 nëntor. Megjithatë, në shumë shtete njerëzit po dalin nëpër kafene, po hanë nëpër restorante, po shkojnë tek sallonet e bukurisë, dhe po bëjnë një sërë aktivitetesh që nuk janë jetike”, u tha në letrën e cila iu dërgua administratës së Trumpit, anëtarëve të Kongresit dhe guvernatorëve të shteteve.
SHBA-ja regjistroi edhe 900 të vdekur nga Covid-19 të shtunën, nga 1,130 sa ishin të premten. Që nga fillimi i pandemisë, së paku 146,460 amerikanë kanë vdekur nga virusi, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins.
Llogaritja e trendëve dhe modeleve parasheh se do të ketë deri në 175,000 të vdekur deri më 15 gusht, sipas Qendrës për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve.
Këto parashikime tronditëse erdhën në kohën kur disa shtete në SHBA kanë regjistruar numra rekord të rasteve të infektuara në baza ditore. Disa udhëheqës lokalë në Texas dhe Califonia kanë përmendur mundësinë e mbyllës së serishme të shteteve dhe kufizime të lëvizjeve, për shkak të numrit të madh të infektimeve dhe spitaleve që janë stërmbushur, shkruan CNN./ Gazeta Sinjali/