image Eksperimenti i Përparim Ramës/ Komuna: Testimi rezultoi i suksesshëm, rrugët një kahore pritet të funksionalizohen

Sociale

Eksperimenti i Përparim Ramës/ Komuna: Testimi rezultoi i suksesshëm, rrugët një kahore pritet të funksionalizohen

news image

Pas testimit fundjavën e kaluar nga Komuna e Prishtinës, se si mund të funksionojë krijimi i një unaze një kahore, komunarët thonë se kanë marrë rezultate të mira, e që shpejtë pritet të funksionalizohet.

Qëllimi sipas nënkryetarit të Prishtinës, Alban Zogajt është të krijohet hapësirë më e madhe këmbësorëve, çiklistëve e të tjerëve që s’përdorin vetura.

Në fundjavën që lamë pas, Komuna testoi shndërrimin e unazës qendrore të Prishtinës në qarkore një kahore për automjetet. E kjo mënyrë e funksionimit ka shumë mundësi të kthehet në qarkullim të përhershëm në kryeqytet. Sipas nënkryetarit Alban Zogaj, dy korsi do të përdoren për automjete, një korsi për autobusët urban dhe një korsi për këmbësorët e mjetet alternative siç janë biçikletat.

“Do të kemi një ridizajnim të komplet qarkullimit dhe komunikimit në Prishtinë. Edhe shumë qytete të tjera të botës funksionojnë në forma të tilla, pra bëjnë qarkullim një kahor, sidomos të qarkoreve të brendshme në mënyrë që ti japin një lëvizje më të shpejtë qarkullimit ose komunikacionit të veturave dhe mjeteve tjera”, tha ai për RTK.

Zogaj thotë se Komuna po mendon t`u japë përparësi personave që nuk përdorin vetura, duke liruar hapësirat publike, sepse sipas tij mbi shtatëdhjetë për qind e qytetarëve në Prishtinë nuk përdorin vetura.

“Shumica e qytetarëve të Prishtinës e kanë mirëpritur këtë funksionim të ri të komunikacionit sepse lirohet hapësira publike dhe një prej kërkesave kyçe të qytetarëve të Prishtinës është që të lirohen hapësirat publike për ecje, për të dalë me fëmije për të krijuar parqe urbane, e kjo na jep mundësi për ti krijuar këto parqe urbane”, tha ai.

Testimi i qarkores një kahore sipas nënkryetarit Alban Zogaj ka qenë i suksesshëm, sepse nga ky testim janë grumbulluar të dhëna të cilat do të ndikojnë në vendimin final për mënyrën e funksionimit të komunikacionit.

/GazetaSinjali/