image Ekskursionet e Latifit për 10 muaj si ministër që i kushtuan buxhetit të shtetit mijëra euro

Politikë

Ekskursionet e Latifit për 10 muaj si ministër që i kushtuan buxhetit të shtetit mijëra euro

news image

Ministri i Shëndetësisë ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë vetëm pak javë para se t’i mbushte një vit në krye të këtij dikasteri.

Rifat Latifi, përgjatë kësaj periudhe, shpesh herë zhvilloi vizita jashtë vendit, të cilat zgjasnin edhe me javë për të cilat, Latifi shumë herë u kritikua nga opozita dhe shoqëria civile.

Vizita më e gjata e Latifit rezulton të jetë ajo në Shtetet e Bashkuara të Amerikë. SHBA-ja, ishte destinacion i të parit të Shëndetësisë, tri herë brenda pak muajve.

Më pas ai vizitoi Shqipërinë, Turqinë, Austrinë e Norvegjinë. Në këto shtete Latifi kishte thënë se ka zhvilluar vizita në spitale, konferenca shkencore e takime me studentë. Së fundi, ishte për vizitë në Greqi, ku vizitoi spitale greke.

Sa para i shpenzoi Latifi për udhëtime jashtë vendit?

Biletën më të shtrenjtë që e ka paguar ka qenë ajo për udhëtimin në Turqi që është realizuar në datat 21-25 mars 2022, shuma e biletës është 792.59 euro. Në këtë udhëtim ministri Latifi i ka shpenzuar edhe 225 euro shtesë që MSh i klasifikon si “Shpenzimet para xhepi/ ushqim”.

Për udhëtimin në Austri të realizuar në datat 13-19 gusht 2022, ministri Latifi ka paguar biletë me shumën 633.57 euro. Në këtë udhëtim, ministri Latifi ka shpenzuar edhe 1 mijë e 102 euro, për akomodim dhe ushqim. Pra, 425.70 euro për akomodim dhe 677.16 euro për shpenzimet “para xhepi dhe ushqim”.

Një biletë aeroplani prej 508.51 euro ministri Latifi e ka paguar për një udhëtim tjetër në Austri, të cilin e ka realizuar në datat 13-16 korrik. Për këtë udhëtim nga buxheti i shtetit ai ka shpenzuar edhe 706.86 euro. Nga kjo shumë 255.42 euro janë paguar për akomodim dhe 451.44 euro për shpenzimet “para xhepi dhe ushqim”.

Bileta e aeroplanit për udhëtimin e ministrit Latifi në Greqi, shtetit të Kosovës i ka kushtuar 440.05 euro. Në këtë udhëtim ministri ka shpenzuar edhe 284 euro të tjera për ushqim.

Në dy udhëtime, ministri ka refuzuar t’i shpenzojë paratë e shtetit për akomodim dhe ushqim. Në vizitën e tij në Norvegji ai ka paguar nga paratë e tij 1 mijë e 253 euro, ndërsa në një udhëtim tjetër në Austri ai ka shpenzuar 1 mijë e 400 euro nga paratë e tij.

/GazetaSinjali/