Hetimet e zhvilluara deri më tani nga Prokuroria Themelore në Gjilan për identifikimin dhe kapjen e personave që kanë dhunuar të miturën 14-vjeçare nga Gjilani, e cila si pasojë e këtij dhunimi kishte ngelur shtatzënë dhe ishte detyruar për të kryer abort, ditëve të fundit kanë progresuar mjaftë shumë, bën të ditur një sinjalizues i Gazetës Sinjali.
Përveç identifikimit dhe kapjes së dy personave të moshës madhore, të cilët tashmë janë nën masën e paraburgimit për shkak të dyshimit se kanë dhunuar dhe abuzuar me 14-vjeçaren nga Gjilani, hetimet e zhvilluara deri më tani kanë arritur të identifikojnë edhe një Ordinancë Private për Obstetri dhe Gjinekologji në Gjilan (emër i njohur për redaksinë).
Kjo ordinancë, respektivisht mjeku gjinekolog që është në pronësi të saj, dyshohet se në kundërshtim me ligjin për ndërprerjen e shtatzënisë, i ka ofruar ndihmë asokohe 13-vjeçares dhe e ka këshilluar që të realizojë abortin në kushte shtëpiake, duke i përshkruar vetëm tableta, madje pa i vënë faksimilin e mjekut fare, me qëllim të shmangies së identifikimit të mjekut ordinues dhe veprimit inkriminues.
Ky veprim dhe kjo formë e trajtimit të një fëmije të moshës 13 vjeç që ishte shtatzënë, jo vetëm që përbënte rrezik për jetën e saj, por edhe cenonte rëndë detyrimin e mjekut për lajmërimin e organeve kompetente për këtë krim me pasoja të rënda për të miturën dhe familjen e saj.
Për këtë arsye, ky sinjalizues njofton se ndaj Ordinancës Private së shpejti do të ushtrohet kallëzim penal, i cili do të pasojë edhe me arrestimin e mjekut që ka cenuar rëndë ligjin dhe kodin e etikës.
Gazeta Sinjali mëson gjithashtu se përkundër vështirësive të shfaqura rreth identifikimit të Ordinancës Private dhe mjekut që ka kryer abortin e 13-vjeçares në Prishtinë, hetimet janë duke shënuar progres edhe në këtë drejtim.
Sinjalizuesi raporton se Prokuroria në Gjilan ka intensifikuar hetimet në këtë drejtim dhe së bashku me hetuesit rajonalë të policisë në Gjilan, janë duke lëvizur çdo “gurë” për t’i identifikuar dhe kapur mjekët që kryen një krim makabër, edhe pse ishin të njoftuar për pasojat ligjore për veprimet e kryera.
Gazeta Sinjali që nga dita e raportimit të këtij rasti shokues në Polici, është duke e ndjekur dhe raportuar progresin e hetimeve me qëllim të sensibilizimit të opinionit për këtë krim që ka goditur rëndë të miturën dhe familjen e saj.
Shprehim keqardhje për bezdisjen eventuale të familjes së tani 14-vjeçares, por gjykojmë se vetëm duke i raportuar të tilla raste në opinion, mund të kontribuojmë në parandalimin e tyre në të ardhmen dhe në dënimin e meritur për shkelësit e ligjit./Gazeta Sinjali/