Konfliktet mes të rinjve jo rrallëherë eskalojnë në kanosje e përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur dje në Obiliq, raporton Gazeta Sinjali.
Dy persona po dyshohen se kanë sulmuar një tjetër, duke e goditur me zinxhirë hekuri dhe për pasojë i kanë shkaktuar lëndime trupore.
Sinjali ka mësuar se dy të dyshuarit që përfunduan në prangat e Policisë lidhur me këtë rast janë Edon Syla (19-vjeçar) dhe Shpejtim Syla (21-vjeçar), të cilët janë dërguar në mbajtje.
Pasi Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ka arritur t’i kap të dyshuarit, të cilët janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.
Hetimet për këtë rast kanë nisur në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”, teksa veprimet tjera do të merren brenda afatit ligjor.
Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit kanë rrahur viktimën mashkull kosovar, me ç’rast i kanë shkaktuar lëndime trupore . Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje.”
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.