Një aksion i Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorinë në fshatin Vajnik të Skenderajt, rezultoi me gjetjen dhe sekuestrimin e mbi 59 kilogramëve substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë. Lidhur me rastin u arrestua një person, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Edmond Ahmeti, 28-vjeçar.
Sipas pamjeve të publikuara nga Policia, Ahmeti e kishte fshehur drogën në kashtë.
“Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe konfiskuar këto dëshmi: 59 (pesëdhjetë e nëntë) kilogram e 973 (nëntëqind e shtatëdhjetë e tre) gram, dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit marihuanë, dy peshore digjitale, një mbështjellës – foli e tejdukshme dhe një telefon“, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ahmeti është shoqëruar mbrëmë në stacion policor dhe pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij.
Ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.
Brenda afatit ligjor, pritet që Prokuroria të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.