Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka deklaruar se pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022 ka shënuar një thyerje të rëndë të arkitekturës evropiane të sigurisë, ndërsa ka paralajmëruar se kontinenti po hyn në një periudhë të re sfidash gjeopolitike.
Në një intervistë për televizionin publik gjerman ZDF, Steinmeier e cilësoi sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe ndryshimet në politikën amerikane si një “pikë kthese të dyfishtë historike”, që kërkon një qasje më realiste në marrëdhëniet ndërkombëtare.
“Rusia, me sulmin e saj ndaj Ukrainës në vitin 2022, theu arkitekturën evropiane të sigurisë”, deklaroi presidenti gjerman.
Duke folur për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, Steinmeier tha se administrata e presidentit Donald Trump po reflekton ndryshime në perceptimin e vlerave tradicionale, por theksoi se partneriteti transatlantik mbetet thelbësor për Gjermaninë dhe Evropën.
“Ne kemi nevojë për Shtetet e Bashkuara. Për Gjermaninë dhe Evropën është thelbësore të mbrojmë rendin ndërkombëtar, ligjin dhe rregullat”, u shpreh ai.
Steinmeier ngriti shqetësimin edhe për forcimin e partive populiste dhe ekstremiste, duke u bërë thirrje qytetarëve që të votojnë me përgjegjësi dhe të mbrojnë sistemin demokratik.
Sipas tij, qytetarët gjatë zgjedhjeve nuk vendosin vetëm për një parti politike, por edhe për ruajtjen e demokracisë apo hapjen e rrugës për alternativa autoritare.
Në planin e brendshëm, presidenti gjerman përshëndeti reformat e qeverisë federale në fushën e pensioneve, shëndetësisë dhe sigurimeve shoqërore, duke theksuar se suksesi i tyre do të varet nga rritja ekonomike dhe zbatimi i qëndrueshëm.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!