Është vetëdorëzuar në polici zyrtari i Policisë së Kosovës Ferid Leci, i arratisur mbrëmë dhe i shpallur në kërkim, nën dyshimet për përfshirje në veprimtari ilegale në zonën e Karaçevës, raporton Gazeta Sinjali.
Leci është vetëdorëzuar rreth gjysmë ore më parë dhe aktualisht është duke u mbajtur në stacionin e Policisë në Muçivercë në pritje për t’u intervistuar dhe në rast se nuk ndryshon aktvendimi i prokurorit, i njëjti sipas burimeve të Gazetës Sinjali do të dërgohet në mbajtje për 48 orë.
Pasi nuk arritën ta arrestojnë, forcat e rendit bastisën mbrëmë shtëpinë e Ferid Lecit në Hodonoc të Kamenicës, brenda së cilës u gjetën armë zjarri pa leje, para të gatshme dhe gjësende tjera të kundërligjshme.
Në shtëpinë e tij dyshohet se janë sekuestruar edhe disa telefona celular të cilët do të dërgohen për ekzaminim, nga ku pritet që të nxirren prova për të mbështetur pretendimet e prokurorisë për veprimtaritë ilegale të të dyshuarit, shkruan Gazeta Sinjali.
Në një distancë prej rreth dy kilometra nga shtëpia e tij, përballë një restoranti në dalje të fshatit Hodonoc, është lokalizuar edhe një stallë me rreth 100 krerë lopë, e cila dyshohet se është në pronësi të policit të arratisur dhe familjes së tij.
Bëhet e ditur se lopët janë sekuestruar nga AVUK-i me dyshimin se janë të kontrabanduara dhe është dobi pasurore e fituar me vepër penale.
Leci dyshohet se nuk pati guxim për luftimin e krimit dhe korrupsionit në zonën ku shërbeu për një kohë të gjatë, prandaj dyshohet se iu bashkua grupeve kriminale që në mënyrë ilegale arritën të përfitonin materialisht. /Gazeta Sinjali/
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.