Problemet e policëve të Kosovës me shëndetin fizik e mendor janë bërë çështje diskutimi pas tragjedisë në Gjilan, ku policja me probleme mendore, Valdete Bllaca, qëlloi për vdekje të gjithë anëtarët e familjes, dhe në fund edhe veten.
Se në Policinë e Kosovës ka zyrtarë policorë me probleme fizike e mendore e ka thënë edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj.
Një listë e siguruar nga Gazeta Sinjali dëshmon se 15 pjesëtarë të Njësisë Speciale nuk janë të aftë për atë punë, anipse vazhdojnë të punojnë si zakonisht.
Në dokumentin e siguruar thuhet 15 zyrtarët policorë të Njësisë Speciale kanë probleme shëndetësore nuk mund të jenë pjesë e kësaj njësie.
Raporti mjekësor thotë se zyrtarët policorë që nuk janë të aftë që të jenë pjesë e Njësisë Speciale të Kosovës, thuhet se mund të shërbejnë në ndonjë njësi tjetër.
“15 zyrtarë nuk janë të aftë për Njësinë Speciale, por janë të aftë për njësitë tjera në Policinë e Kosovës”, thuhet në dokument e datës 18 dhjetorit të vitit të kaluar.
“1 zyrtar është i aftë për Njësinë Speciale. 1 rast i janë kërkuar nga ana e Komisionit ekzaminimin shtesë, pastaj rivlerësim në komision. 1 zyrtare nuk është paraqitur në Komision”, thuhet ndër të tjerash në dokumentin e siguruar nga Gazeta Sinjali.
Lidhur me këtë rast, Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalajn.
Në një përgjigje për Gazetën Sinjali, Qalaj ka thënë se kontrolleve mjekësore për policët iu kanë nënshtruar të gjithë pjesëtarët e Njësive të Specializuara të Policisë së Kosovës, derisa ka konfirmuar se 15 policë kanë rezultuar të paaftë për njësinë përkatëse.
“Bazuar në kriteret dhe standardet mjekësore për testimet mjekësore periodike për Njësite e Specializuara të Policisë së Kosovës (NJSO), janë realizuar kontrollet mjekësore ndaj zyrtarëve policor të Njësiteve të Specializuar, përfshirë edhe 15 zyrtarët policor të potencuar nga ana e juaj. Vlen të theksohet se të gjithë këta zyrtar policor (15), janë të aftë punë, për të kryer detyra dhe autorizime policore në njësite të ndryshme policore, por të njëjtit nuk i përmbushin kriteret për të qenë operativë/operacional në Njësitet Speciale Operative, përderisa në detyra dhe pozita tjera mund të jenë edhe pjesë e Njësive Speciale Operative”, ka thënë Qalaj.
Ai theksoi se rezultatet e kontrolleve mjekësore e përjashtojnë angazhimin e këtyre policëve në operacione me rrezikshmëri.
“Bazuar në rezultatet zyrtare vlerësohet se të gjithë këta zyrtarë policorë janë të aftë për punë dhe për të kryer detyra sipas procedurave dhe autorizimeve policore në njësi te ndryshme policore dhe në NJSO, përjashtuar përmbushjen e kritereve për të qenë operativë në NJSO, që do të thotë nuk angazhohen në operacione me rrezikshmëri”, ka thënë drejtori i Policisë.
Më poshtë gjeni listën e plotë të siguruar nga Gazeta Sinjali: