Në një operacion të Inspektoratit Policor të Kosovës të zhvilluar mbrëmë në Pejë, është arrestuar një zyrtar policor dhe gjashtë qytetarë, të dyshuar se kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se zyrtari policor i arrestuar gjatë këtij operacioni është Skender Arifaj, zyrtar policor në nënstacionin policor në Vitomiricë.
Arrestimet erdhën pas hetimeve disamujore, prej kur IPK mori informacionin se zyrtari policor dyshohej se ishte i përfshirë në aktivitete të kundërligjshme.
Aksioni u zhvillua në një lokal në rrugën “Hoxhë Tahsini” në Pejë meqë ekzistonte dyshimi i bazuar se aty ishte duke u zhvilluar aktiviteti i kundërligjshëm respektivisht dyshohej për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
IPK njoftoi se gjatë kontrollit nga IPK janë sekuestruar disa sende që mund të shërbejnë si prova në procedurën penale në këtë rast.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.