Gazeta Sinjali raportoi sot për një aksion të Policisë së Kosovë kundër trafikimit me njerëz që u zhvillua gjatë ditës së djeshme pas një hetimi disa mujor, që rezultoi me arrestimin e tre personave, dy prej të cilëve shtetas të Shqipërisë. Ata po dyshohen se kanë trafikuar një numër të caktuar vajzash, të cilat i kanë sjellë nga Shqipëria në Kosovë, gjoja se për t’i martuar në këmbim të parave. Të njëjtit tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor, ndërkohë që Sinjali ka mësuar identitetin e tyre.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se tre të dyshuarit që u arrestuan gjatë këtij aksioni janë Sabri Demolli, kosovar, i cili u arrestua në Kamenicë, si dhe Shaban Mziu e Agron Hoxha, dy shtetasit e Shqipërisë, që u kapën në qytetin e Prizrenit.
Në bazë të informacioneve të para që kanë dalë nga hetimi i zhvilluar nga Njësia e Hetimit të Trafikimit me Njerëz, rezulton se te të dyshuarit në këmbim të shumave të konsiderueshme parash kanë marrë vajza nga Shqipëria, të cilët ia kanë sjellë në Kosovë gjoja se për t’i martuar.
Pas arrestimit dhe shoqërimit në stacion policor, ku janë intervistuar për veprën me të cilët ngarkohen, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh.
Ndryshe, aksioni është zhvilluar nga disa njësi rajonale të Policisë, në koordinim me Prokurorinë, me ç’rast të dyshuarit janë kapur në flagrancë dhe bashkë me ta është hasur edhe një viktimë. Në kuadër të aksioni, burimet thonë se janë zhvilluar edhe bastisje, ku është bërë sekuestrimi i veturës së të dyshuarve dhe një shumë të të hollave prej më shumë se 2 mijë euro.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe Policinë e Prokurorinë, por ende s’ka marrë një përgjigje.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.