Delegacioni i boksit para pak çastesh ka arritur në Kosovë nga kryeqyteti i Anglisë, Londra.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar me njërin nga boksierët, Patriot Behrami. Ai e ka konfirmuar që gjendja e të gjithëve është e mirë. Tutje, ai ka shtuar se së shpejti do të ju bëhen testet për koronavirus.
Ashtu siç kishte raportuar Gazeta Sinjali, delegacioni ka arritur me avionin privat të Behgjet Pacollit.
“Sapo kemi arritur dhe tani jemi rrugës për në Menzën e Studentëve në Prishtinë, ku do të të na bëhen testet. Po ashtu, na është thënë se do të qëndrojmë aty për 14 ditë në karantinë”, thekson zëdhënësi i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, për faqen zyrtare të Komitetit Olimpik të Kosovës.
Ekipi i boksit ndodhej në Londër, ku po merrte pjesë në turneun kualifikues evropian për Lojërat Olimpike Tokio 2020, por që organizatori vendosi të hënën të pezullojë garat shkaku i përhapjes së koronavirusit Covid-19. Falë bashkëpunimit të presidentit të KOK-ut, Besim Hasani me ministren për Kulturë, Rini e Sport, Vlora Dumoshi, të ndihmuar nga zëvendëskryeministri Abdullah Hoti dhe ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Lumir Abdixhiku, u gjet zgjidhja që falë humanitetit të Behgjet Pacollit, të ndihmuar edhe nga ish-ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Sir Alan Duncan, të bëhet kthimi emergjent i delegacionit të boksit në Kosovë./Gazeta Sinjali/