Infermieret që u arrestuan dhe u ndaluan për 48 orë, si të dyshuara për rastin e tmerrshëm të rrahjes së të moshuarës në shtëpinë e pleqve në Pejë përveç Aurona Pelajt, janë Altina Rexhepi dhe Remzie Kuqi, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Policia në Pejë e ka konfirmuar se punonjëset e shtëpisë së pleqve “Orenda” janë arrestuar në lidhje me rastin e sulmit fizik ndaj të moshuarës në Pejë, teksa nga Prokuroria kanë bërë të ditur se tri të dyshuarat janë ndaluar për 48 orë.
Pamjet që u shpërndanë sot në rrjetet sociale kanë tronditur vendin. Aty shihet se si një nga punonjëset e sulmon gruan e moshuar, duke e goditur me shuplaka dhe shqelma.
“Pak jam tu ja hi, qysh di me sill unë.. pak jam tu ja hi”, dëgjohet duke thënë punonjësja derisa ushtronte dhunë ndaj të moshuarës.
Ndryshe, një sinjalizues i Sinjalit ka bërë të ditur se e moshuara është nëna e dëshmorit, Taulant Nura, i cili është vrarë gjatë luftës në betejën e qytetit të Gjakovës.