image Ekskluzive: Këta janë dy të dyshuarit që mashtruan qytetarët në Prizren për viza pune në Gjermani e Kroaci

Siguri

Ekskluzive: Këta janë dy të dyshuarit që mashtruan qytetarët në Prizren për viza pune në Gjermani e Kroaci

news image

Për disa muaj arritën të përfitonin rreth 5 mijë euro duke i mashtruar qytetarët kinse për pajisje me viza pune në Gjermani e Kroaci. Dy të arrestuarit që dyshohen se përmes biznesit të tyre të quajtur “Timi & Zaimi” në Prizren, kanë mashtruar së paku 12 qytetarë, Sinjali mëson se janë Hatim Berisha dhe Zaim Domazeti.

Berisha dhe Domazeti dyshohen se i kanë mashtruar të paktën 12 qytetarë (emra të njohur për redaksinë) që kanë rënë viktimë e agjencisë së punësimit “Timi & Zaimi”, shkruan Gazeta Sinjali.

Hatim Berisha
Zaim Domazeti

Sipas gjykatës, të njëjtit “me dashje dhe me anë të paraqitjes së rreme të fakteve apo duke fshehur faktet dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten dhe për t’i shkaktuar dëm material personave tjerë, i mashtrojnë apo vazhdojnë lajthimin e personave tjerë dhe me këtë i nxisin të dëmtuarit që të njëjtit të kryejnë veprime në dëm të pasurisë së tyre, në atë mënyrë që të pandehurit me qëllim të përfitimit pasuror në vitin 2020 krijojnë biznesin “Timi & Zaimi” SH.P.K., si agjenci punësimi, kinse për pajisjen e qytetarëve të Kosovës me viza pune për në Kroaci dhe Gjermani, nga të cilët kërkojnë plotësimin e dokumentacionit dhe si kundërvlerë paraprake marrin parapagime nga të dëmtuarit, me ç’ rast secilit veç e veç i shkaktojnë dëm material ndërsa për vete në mënyrë të kundërligjshme përfitojnë dobi pasurore.”

Siç njoftoi sot Prokuroria, dy të dyshuarit janë hetuar nga muaji qershor i vitit 2021, raporton Sinjali.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/