image Ekskluzive: Ish-drejtori i Policisë në Prizren dëshmitar i të shtënave me armë, dështon ta denoncojë rastin në Polici

Ekskluzive

Ekskluzive: Ish-drejtori i Policisë në Prizren dëshmitar i të shtënave me armë, dështon ta denoncojë rastin në Polici

news image

Të shtënat me armë në ahengjet në Kosovë janë dukuri e shpeshtë, të cilat përveç se janë të kundërligjshme, shumë herë janë edhe të rrezikshme. Ka disa raste kur nga të shtënat festive, kanë pësuar edhe me jetë qytetarët e pafajshëm, madje edhe ata që nuk ishin pjesë e ahengjeve, shkruan Gazeta Sinjali.

E shtëna me armë përbën vepër penale dhe secili qytetar ka për detyrim ta raportojë në Polici. Ky detyrim është obligativ sidomos për zyrtarët policorë, të cilët pavarësisht kohës apo vendit, kanë autorizime policore 24 orë.

Mirëpo, një detyrim i tillë rezulton se është shpërfillur nga Nexhmi Krasniqi, ish-drejtor rajonal i Policisë në Prizren, tani drejtor i Policisë Kufitare, i cili ishte pjesëmarrës në një aheng në hotelin “Lake Side”, më 30 dhjetor 2018, ku para syve të tij pati të shtëna me armë, shkruan Gazeta Sinjali.

Sinjali për këtë rast ka siguruar edhe pamje ekskluzive, të cilat e vërtetojnë se ish-drejtori Nexhmi Krasniqi, ishte dëshmitar i të shtënave me armë, në sytë e fëmijëve, të cilët i mblidhnin gëzhojat e plumbave të shkrepur para një numri të madh të mysafirëve.

30.12.2018/ Hotel “Lake Side”, Prizren
Nexhmi Krasniqi, me këmishë të bardhë e kravatë

Për të konfirmuar nëse ish-drejtori Krasniqi kishte denoncuar këtë rast, Gazeta Sinjali përmes burimeve në Polici dhe Prokurori ka verifikuar se natën e 30 dhjetorit 2018 nuk është raportuar as nga Krasniqi, e as nga ndonjë person tjetër se në hotelin “Lake Side” ka pasur të shtëna me armë.

Përkundër verifikimit se të shtënat me armë nuk janë raportuar nga Krasniqi, Sinjali ka kontaktuar këtë të fundit për të marrë rrëfimin e tij për mosdenoncimin e këtij rasti.

Rrëfimi i Krasniqit

Në telefonatën e parë, Krasniqi e mohon kategorikisht të ketë marrë pjesë ndonjëherë, në ahengje ku ka pasur të shtëna me armë zjarri.

“Nuk e di për çka po flitni, absolut. A ka pasë të shtëna me armë a aheng a çka? Absolut ku ka pasur të shtëna me armë zjarri, unë kurrë për veti nuk kom marrë pjesë në ato ahenge”, tha ai për Sinjalin.

Megjithatë kur Sinjali ia përmend pamjet që i posedon, Krasniqi fillon të interesohet për ahengun që se ai ka marrë pjesë.

Kur u pyet se a mund t’ia dërgojmë pamjet, ai përgjigjet: A dëgjohen të shtënat a, a shihet njeri që gjuan a?- Për besë nuk kom ide që unë kom qëllu diku ku ka pasur të shtëna me armë zjarri”.  

Por pasi Gazeta Sinjali ia dërgon pamjet, i njëjti telefonon në numrin kontaktues të Sinjalit dhe thotë se nëse ai do të ishte pjesëmarrës në ndonjë organizim kur dikush gjuan me armë, ai do ta arrestonte.

“Pasha Zotin s’e di ku je t’u e pa qit fotografi temën. Jaaa absolut nuk është fotografia jeme, gabimisht jeni. Unë nuk di çfarë informate ki ti. Për këtë unë do të denoncoj ty. Kjo nuk është fotografi e jemja dhe tash do të mirrem. Nuk është fotografi e jemja. Të lutna, mos u merrni me këto gjana. Jo zojë, duhet ta kesh parasysh prej 99-ës, me gju dikush nër sy meje, ia lidhi durtë qaty. Dezinformata të rrejshme”, tha Krasniqi tutje për Sinjalin.

Gazeta Sinjali pas pak do të publikojë pamje të reja, të cilat po ashtu vërtetojnë se Nexhmi Krasniqi ka shpërfilur detyrimin e tij si zyrtar policor që edhe rastet e të shtënave me armë t’i denoncoj pavarësisht kohës dhe vendit.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/