Një vendim i rëndësishëm gjyqësor ka bllokuar përkohësisht veprimet e kompanisë Mabco Construction SA, e lidhur me biznesmenin dhe politikanin kosovar Behgjet Pacolli, në shoqërinë “Vlora International Airport” (VIA), që po zhvillon projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Gazeta Sinjali ka siguruar vendimin e Gjykatës në Tiranë, e cila më 5 qershor 2026 ka pranuar kërkesën për masë sigurimi të padisë, duke urdhëruar ruajtjen e gjendjes ekzistuese juridike, korporative dhe administrative në shoqërinë VIA deri në përfundimin e procesit gjyqësor me vendim të formës së prerë.
Sipas vendimit, gjykata ka ndaluar çdo vendimmarrje, veprim juridik apo regjistrim që cenon ose ndryshon raportin e zotërimit të kuotave të përcaktuar në kontratën e shitblerjes së datës 3 prill 2025, sipas së cilës Mabco Construction SA zotëron 51 për qind të kuotave, ndërsa 2A Group SHPK 49 për qind.
Po ashtu, gjykata ka pezulluar mbledhjen e Asamblesë së Ortakëve të VIA-s, e planifikuar të mbahej më 6 qershor 2026, si dhe ka ndaluar shkarkimin e administratorit aktual, Vegim Hoxha.
Vendimi ndalon gjithashtu emërimin, zgjedhjen apo caktimin e çdo administratori tjetër, si dhe marrjen e çdo vendimi për ndryshim statuti, ndryshim të organeve drejtuese, njohjen e kontratave të reja apo çdo veprim tjetër që do të mund të ndryshonte statusin juridik dhe administrativ të shoqërisë.
Njëkohësisht, gjykata ka detyruar Mabco Construction SA që të ruajë të pandryshuar statusin juridik, korporativ dhe administrativ të kompanisë deri në zgjidhjen përfundimtare të mosmarrëveshjes.
Ky vendim përbën një zhvillim të rëndësishëm në konfliktin mes aksionarëve të projektit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, një prej investimeve më të mëdha infrastrukturore në Shqipëri.
Ndaj vendimit lejohet ankim sipas ligjit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!