image Ekskluzive, flet babai i 16-vjeçarit: Policët ma torturuan djalin në mënyrë çnjerëzore, më kanosën edhe mua

Ekskluzive

Ekskluzive, flet babai i 16-vjeçarit: Policët ma torturuan djalin në mënyrë çnjerëzore, më kanosën edhe mua

news image

Pas arrestimit të dy zyrtarëve policorë E. Lajçi dhe A. Bacaj nën dyshimet se rrahën një 16-vjeçar më 17 korrik në Pejë, Gazeta Sinjali ka arritur të bisedojë me prindin e të miturit, i cili nëpërmjet një rrëfimi ekskluziv rrëfen komplet ngjarjen dhe momentin kur e gjeti djalin e tij gati pa ndjenja në vendngjarje.

Prindi nga Peja (emër i njohur për redaksinë) pretendon se djali i tij nuk ka shkaktuar asnjë incident, sipas tij, policia i ka kërkuar 16-vjeçarit të ndalet gjatë kohës sa kishte dalë me motor në qytet. Por, i mituri nuk iu ishte bindur urdhërave të zyrtarëve policorë për shkak të frikës se do të ia merrnin motorin.

Prindi e pranon se djali i tij, fillimisht ka ikur duke e detyruar policinë që t’i vihej në ndjekje. Por, sipas tij në momentin që është ndalë, policia i ka hedhur sprej syve 16-vjeçarit dhe e ka torturuar fizikisht deri kur një banor i lagjes ‘Dardania’ e ka lajmëruar se policët po ia rrahin djalin.

“Ditën e premte unë kam qenë në pushim, djali e ka marrë motorin me dalë edhe policia e ka thirrë prej veturës ‘ndalu’…Faktikisht ky (djali) pak është frikësu edhe ka tentu me ikë. Gjatë ikjes ata e kanë ndjekë me veturë të policisë, kanë tentu edhe me rrëzu, por ky ju ka ikë derisa dikur u ndalë me një vend, se ka thënë mos po e bëj ndonjë aksident apo diçka më keq. Kur kanë ardhë ata (policia) në vendin e ngjarjes vetëm ia kanë qitë sprejin e syve dhe prej aty kanë fillu rrahjet brutale ndaj djalit 16-vjeçar”, rrëfen prindi për Gazetën Sinjali.

Prindi pretendon se zyrtarët policorë ia kanë rrahur djalin dhe e kanë goditur për veture, madje sipas tij, djalit nuk i kanë dhënë as ujë për të pirë, ani pse ai ishte gati pa ndjenja.

“E kanë rreh e kanë shtri, e kanë gjuajt për veture, d.mth. kanë bë tortura çnjerëzore. Mas torturave djali ka kërku ujë, nuk ia kanë dhënë ujin derisa djali ka nisë me i humbë ndjenjat dhe dikush në lagje ka thënë jepni ujë djalit…Sharje, fyrje çdo veprim që është më banal ata (policia) e kanë përdorë atë ditë”, vijon rrëfimin prindi.

I pyetur sesi e mori vesh që djali u fut në probleme me zyrtarët policorë, ai tha se për rastin e ka njoftuar një banor i lagjes.

“Kjo situatë ka zgjatë me djalin derisa ka ardhë një banor i asaj lagje, që e ka njoft djalin edhe na ka njoft neve…Ka ardhë në shtëpi na ka thirrë, hajde se janë t’u e rreh një djal të juajin, e mbytën tu e rreh në lagjen ‘Dardania’”, thotë me tej prindi për Gazetën Sinjali.

Prindi pohon se kur ka shkuar në vendin e ngjarjes, zyrtari policor e ka kanosur edhe atë.

“Pastaj kemi shku në vendin e ngjarjes, edhe i thash pse ma ke rreh djalin, ma boni ty ta bëjë më zi, kurgjë si kam bë djalit çka të bëjë ty, ka nisë me kërcënime…Ne nuk kemi vepru ndaj uniformës, por, ai dojke me bo skenarin për me na qitë fajtorë, se e ka pa pastaj se çka ka vepru…”, shtoi prindi.

Pas diskutimit me zyrtarët policorë, prindi është dërguar në stacionin policor, ndërsa djali për mjekim në spital.

“Më kanë arrestu mua, djalin e kanë dërgu në spital për me ia kontrollu gjendjen shëndetësore qysh e ka…ka lëndime të lehta trupore. Ka pas kokëdhimbje, vjellje…”, thotë prindi.

Ai shtoi se djali i tij ka pësuar lëndime trupore në krahun e majtë, në brinjë, në fytyrë mbi vetullën e majtë.

“Me qenë 2-3 shuplaka as unë si prind nuk e kisha bërë këtë punë të madhe”, tha ai.

Krejt në fund prindi mohoi se ka pasur probleme në të kaluarën me ndonjërin nga zyrtarët policorë.

Pas njoftimit të Inspektoratit Policor të Kosovës për arrestimin dhe suspendimin e dy zyrtarëve policorë nën dyshimet për kryerjen e veprave penale, “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe “lëndim i lehtë trupor”, Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht se bëhet fjalë për policët E. Lajçi dhe A. Bacaj.

Kujtojmë se me vendim të prokurorit, zyrtarët policorë janë dërguar në mbajtje për 48 orë. /Gazeta Sinjali/