image Ekskluzive | “Fantazma” e veturave në Prishtinë? Dyshohet për 113 vjedhje – kapet pasi mori 8 mijë euro nga një BMW

Ekskluzive

Ekskluzive | “Fantazma” e veturave në Prishtinë? Dyshohet për 113 vjedhje – kapet pasi mori 8 mijë euro nga një BMW

news image

Një skemë vjedhjesh që dyshohet se kishte terrorizuar pronarët e veturave në Prishtinë ka çuar në arrestimin e një personi që Policia e lidh me mbi 100 raste të ngjashme, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.

Gjithçka nisi më 2 maj në rrugën “Hajdar Dushi”, kur Y. G., rreth 21-vjeçar parkoi BMW-në e saj të zezë rreth orës 12:55, pa e ditur se vetëm pak minuta më vonë do të mbetej pa mijëra euro.

Sipas informatave, kur ajo u kthye rreth orës 13:35, gjeti veturën e hapur dhe kuptoi se nga brenda mungonin rreth 8 mijë euro para të gatshme.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se grabitësi kishte vepruar me shpejtësi, duke u zhdukur nga vendi para se viktima të kthehej.

Por ajo që fillimisht dukej si një vjedhje e zakonshme, mori tjetër dimension gjatë hetimeve.

Pas analizimit të kamerave të sigurisë dhe informacioneve operative, hetuesit e Policisë së Kryeqytetit arritën ta identifikojnë dhe arrestojnë Qemajl Mehmetin, rreth 47-vjeçar.

Sipas burimeve, ai nuk dyshohet vetëm për këtë rast.

Hetuesit e lidhin të njëjtin me plot 113 raste të vjedhjeve të këtij modeli – kryesisht thyerje veturash dhe marrje të parave apo sendeve me vlerë brenda tyre.

Pas arrestimit, i dyshuari është intervistuar nga hetuesit në Prishtinë dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në ndalim për 48 orë.

Hetimet janë në vazhdim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/