Një rast i dyshuar i blerjes së votave është zbuluar në prag të ditës së zgjedhjeve në Pejë, ku dy persona kanë përfunduar në pranga nën dyshimin për veprën penale “Dhënie ose marrje e ryshfetit lidhur me votimin”.
Sipas informacioneve të siguruara nga burime të besueshme të afërta me hetimin, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 6 qershor 2026, rreth orës 17:30, në rrugën “Zhuje Selmani” në Pejë.
Pas autorizimit të Prokurorisë Themelore në Pejë, Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, në bashkëpunim me njësitë kompetente nga Prishtina, ka zhvilluar veprime hetimore, të cilat kanë çuar në arrestimin e Milos Zivko Dimitrijevic dhe Ranko Andjelko Zdravkovic.
Sipas dyshimeve fillestare, ata i kanë ofruar përfitime një qytetari në këmbim të votës së tij për subjektin politik Lista Serbe.
Të dyshuarit janë arrestuar në shtëpitë e tyre në fshatin Gorazhdec të Pejës, ku janë kryer edhe kontrolle policore. Sipas burimeve, gjatë kontrollit nuk është gjetur asnjë send i kundërligjshëm.
Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, me vendim të prokurorit kujdestar, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!