image Ekskluzive: “Djali i Agron Kuçit m’i dha dokumentet për t’i dërguar në diasporë”, çka deklaroi pas arrestimit Blerina Sallaj

Drejtësi

Ekskluzive: “Djali i Agron Kuçit m’i dha dokumentet për t’i dërguar në diasporë”, çka deklaroi pas arrestimit Blerina Sallaj

news image

Në fund të muajit të kaluar, më 29 tetor, zyrtarja e komunës së Junikut, Blerina Sallaj u kap në Aeroportin e Prishtinës, me dokumentacion zgjedhor, të cilin dyshohet se e kishte marrë nga Flamur Kuçi, djali i kryetarit të kësaj komune, Agron Kuçit, për ta dërguar në Gjermani, në mënyrë që të manipulohet procesi zgjedhor. E njëjta pas ndalimit për 48 orë është liruar dhe do të hetohet në procedurë të rregullt. Por çfarë ka deklaruar në Polici e dyshuara Sallaj?

Burimet e Sinjalit kanë njoftuar se Blerina Sallaj ka deklaurar se e kishte marrë një porosi nga Flamur Kuçi për të ia dërguar vëllait të tij në Gjermani, por sipas saj nuk e kishte ditur se dokumentacioni kishte të bënte me fotokopje të letërnjoftimeve, pasaportave e listë me emrat e 125 personave, që lidhen me votimin nga diaspora.

Ajo ka deklaruar se si është nisur në aeroport dhe kur e ka marrë këtë “porosi” të Flamur Kuçit.  

“Prej shtëpisë deri në aeroport më ka dërguar vëllai im, kurse në aeroport kam qenë e vetme dhe po ashtu kam pasur të udhëtoj e vetme. Unë me vete nga shtëpia kam marr gjëra personale, rroba, dhurata, gjësende të ndryshme.

Gjatë kontrollit, përveç gjërave personale, policia në bagazh i ka gjetur edhe disa dokumentacione, si shtatë kopje të letërnjoftimeve, dy kopje të pasaportave dhe një listë me emra të personave të ndryshme, për të cilat kam qenë e informuar vetëm në momentin kur Policia mi ka treguar. Nuk e di se të kujt kanë qenë kopjet e letërnjoftimeve e pasaportave, pasi nuk kam qenë e informuar për ato dokumente.

Këto kopje, dje, më datë 28.10 te shtëpia ime mi ka dhënë kushëriri im i largët Flamur Agron Kuçi dhe më ka porositur që t’ia dërgoj personit Mërgim Kuçi, i cili jeton në Gjermani”, ka deklaruar ajo në Polici, në ditën e arrestimit.

Tutje Sallaj ka thënë se Flamur Kuçi, nuk i kishte treguar arsyen pse duhet dërguar ai dokumentacion në Gjermani, e madje sipas saj, as ajo vet s’i kishte “kushtuar vëmendje se çka ka në atë porosi”.

“Jo, nuk më ka treguar pse, vetëm më ka thënë që t’ia dërgoj vëllait të tij në Gjermani. Dokumentet kanë qenë në një qese të tejdukshme, por nuk i kam kushtuar vëmendje se çka ka aty duke menduar se gjithçka është në rregull.  Nuk e di ku Ii ka marrë Flamur Kuçi ato dokumente. Nuk më ka treguar dhe nuk e kam idenë se ku i ka marrë, ka thënë ajo.

Sa i përket listës që ka pasur mbishkrimin “Diaspora voton pëmes postës 2021” dhe dokumenteve të tjera, Blerina Sallaj ka thënë se e ka kuptuar vetëm në aeroport, kur Policia ia ka gjetur.

“Nuk e di çfarë emrash bëhet fjalë, por edhe këtë listë ma ka dhënë Flamur Kuçi dhe kjo listë ka qenë bashkë me dokumentet tjera. Në momentin kur i kam pranuar këto dokumente nga Flamur Kuçi, nuk e kam ditur se çka ishin ato, por kur Policia mi ka gjetur në bagazhin tim në aeroport, vetëm atëherë e kam kuptuar se ato ishin kopje të letërnjoftimeve dhe pasaportave si dhe një listë me emra të ndryshëm”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, këtë shërbim ka pasur për të ia kryer Flamurit, por që nuk e ka ditur se me çka ka të bëjë ai dokumentacion.

“Ato dokumente mua nuk më janë dasht asgjë, por i kam marr si porosi nga Flamuri për të ia dërguar Mërgimit. Nuk më ka dhënë arsye pse kanë pasur të shkojnë ato kopje te Mërgimi. Qëllimi im ka qenë vizitë te vëllai dhe i kam marr këto dokumentet për t’i kryer një shërbim Flamur Kuçit.”

Ndërkohë e njëjta kishte deklaruar gojarisht se në llaptopin e saj kishte një listë me të dhëna të votuesve nga diaspora. Këto dokumente elektronike, ajo ka thënë se i ka shkarkuar vetëm nga kurreshtja dhe se nuk ka pasur arsye tjetër.

“Nuk kam arsye pse e kam bërë këtë, e kam bërë nga kurreshtja dhe për verifikimin e të afërmve të mi.  Në llaptopin tim mund të jenë rreth 50 dokumente të fotokopjuara të votuesve dhe të gjithë janë të afërm të mi. Arsyeja pse I posedoj ka qenë se ata mi kanë dërguar për të aplikuar për votim dhe nuk kam pasur ndonjë qëllim të keq.  Jam e sigurt se nuk kam asnjë fletëvotim të shkarkuar që lidhet me zgjedhjet e 2021, për zgjedhjet lokale“.

Vizita e planifikuar për Gjermani

Sipas saj, qëllimi i saj për të udhëtuar në Gjermani ka qenë vizita te vëllai i saj atje.

“Për vizitë familjare, dy javore, te vëllai im, pasi kisha pushimin vjetor, kam dashur ta shfrytëzoj. Nuk kam pasur qëllim tjetër të vizitës në Gjermani, qëllimi i vetëm ka qenë vizita te vëllai im.”

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që ajo ka deklaruar se kishte udhëtuar në Evropë. Herën e fundit, e njëjta ka thënë se ka qenë në Zvicër, para një muaji (që i bie në shtator, meqë e njëjta këtë deklaratë e ka dhënë më 29 tetor), para zgjedhjeve lokale.

“Edhe më herët kam qenë jo vetëm në Gjermani, por edhe në vendet tjera të Evropës, përveç periudhës së pandemisë. Hera e fundit sa më kujtohet ka qenë përafërsisht para një muaji dhe kam qenë në Zvicër.  Kam shkuar para zgjedhjeve dhe jam kthyer para këtyre zgjedhjeve të fundit. Kjo është hera e parë që dikush më ka dhënë diçka për të dërguar jashtë Kosovës.”

Tutje Sallaj ka thënë se nuk i përket asnjë subjekti politik, por se Flamur Kuçin e ka “kushëri të largët”.

“Nuk jam anëtare e asnjë subjekti politik, e as nuk kam familjarë të ngushtë në ndonjë pozitë në subjekte politike. Flamur Kuçi nuk punon askund, është djali i kryetarit të komunës së Junikut, Agron Kuçit. E kam kushëri të largët dhe kam raporte sikur edhe me gjithë kusherinjtë tjerë.”

Ndërsa kur është pyetur për informacionet që ka për votimin nga diaspora, kjo ishte deklarata e saj: “Jo, saktësisht nuk e di”.

Kurse kur është pyetur se a ka informacione se nëse dikush ka mbushur zarfet me fletëvotime dhe i ka dërguar jashtë ajo ka thënë: Nuk kam njohuri nëse dikush i ka mbushur një numër të zarfeve me fletëvotime dhe i ka dërguar jashtë dhe nuk besoj se kjo mund të ndodhë si fenomen.

Sinjali sot raportoi se Gjykata e Apelit ia ka refuzuar ankesën Flamur Kuçit, që ishte ankuar lidhur me vendimin për masën e paraburgimit.

Kujtojmë se Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht për këtë rast, ku fillimisht u arrestua zyrtarja e komunës, Blerina Sallaj, që pasoi me aksionin e Krimeve të Rënda e deri te arrestimi i Flamur Kuçit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /GazetaSinjali/