image Ekskluzive | Arrestohet zyrtari i Ministrisë, dyshohet se lejoi importin e kimikateve të ndaluara në Kosovë

Sinjalizime

Ekskluzive | Arrestohet zyrtari i Ministrisë, dyshohet se lejoi importin e kimikateve të ndaluara në Kosovë

news image

Një zyrtar i Ministrisë së Mjedisit është arrestuar nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve, në një aksion të zhvilluar nga Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, raporton Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht se i arrestuari është N.M. rreth 63-vjeç.

Sipas burimeve të Sinjalit, aksioni është zhvilluar më 21 korrik, rreth orës 11:30, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Sektori për Hetimin e Korrupsionit.

Hetimet kanë ngritur dyshime se N.M., në cilësinë e zyrtarit përgjegjës për produktet biocide në ish-Ministrinë e Mjedisit, ka tejkaluar kompetencat e tij duke lëshuar leje importi në kundërshtim me Ligjin për Biocide dhe Kimikate.

Sipas dosjes hetimore, ai dyshohet se ka autorizuar importin e substancave aktive të ndaluara nga Agjencia Evropiane për Kimikate (ECHA), si dhe të pesticideve, për të cilat kompetencën ligjore e kishte institucioni përkatës në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se, si rezultat i këtyre lejeve, substanca të ndaluara dyshohet se kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës në periudha të ndryshme, përmes operatorëve të ndryshëm ekonomikë.

I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa gjatë aksionit Policia i ka sekuestruar dy telefona celularë, të cilët do t’i nënshtrohen ekzaminimit.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, Nazmi Maxhera është dërguar në ndalim për 48 orë, nën dyshimet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.

Hetimet për rastin janë duke vazhduar.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/