image Ekskluzive: Aktakuza e plotë kundër Igball Berisha – Hudutit për nxitje të terrorizmit – E quajti “bombë” postimin e saj

Drejtësi

Ekskluzive: Aktakuza e plotë kundër Igball Berisha – Hudutit për nxitje të terrorizmit – E quajti “bombë” postimin e saj

news image

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër Igball Berisha – Hudutit për veprën penale “shtytje për kryerjen e veprave terroriste”, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas aktakuzës të siguruar nga Gazeta Sinjali, e dyshuara Berisha – Huduti akuzohet se ka bërë thirrje me përmbajtje kërcënuese për kryerjen e veprave terroriste kundër ushtrisë amerikane, pas vrasjes së gjeneralit dhe udhëheqësit të gradës revolucionare të Iranit, Qassem Solejmanit dhe gjeneralit Ebu Mehdi el-Muhendis.

Këtë veprim pretendohet se ajo e ka kryer më 1 janar 2020 ku në profilin e saj në FB ka shkruar: “Populli Irakian doli në rrugët e Irakut menjëherë pas krimit amerikan, për të dënuar ashpër padrejtësinë që iu bë dy figurave eminente në Irak e Iran dy gjeneralëve të tyre, Gjeneral Sulemjani dhe Gjeneral Ebu Mehdi el-Muhendisi. Zoti i dhasht durimin ngase të mbysësh zotin e shtëpisë i ke mbytë tërë anëtarët e shtëpisë, e pastaj hakmarrja është obligim por nuk ka kufi.”

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pretendon se me këtë veprim e akuzuara ka kryer veprën penale “Shtytje për kryerjen e veprave terroriste nga neni 134 të KPRK-së” dhe në këtë mënyrë ka shkaktuar rrezikun që një ose më shumë vepra të këtilla të kryhen.

Në dispozitivin e aktakuzës, në mes tjerash, ajo akuzohet se këtë postim e kishte quajtur “bombë” dhe kishte kërkuar nga një bashkëbisedues në rrjetin social “Whatsapp” me emrin Bujar Rugova që të bëjë shpërndarjen sa më të madhe të postimit të saj rreth thirrjes për hakmarrje.

“Kqyre tani çfarë bombe në FB kam qit…”, thuhet në mesazh.

Më tutje, ajo akuzohet po ashtu se më 4 janar në një komunikim në rrjetin social “Whatsapp” ka shprehur dëshirë të jetë në mesin e 313 ushtarëve të imamit Mehdi.

“313 janë ushtarë (liderë) që imam Mehdiu ka me caktu nëpër botë… 50 prej tyre janë femra, inshallah të jem unë, por s’e kam atë nafakë”, citohet të ketë shkruar ajo.

“Igball Huduti i tregon bashkëbisedueses me emrin Mirlinda se koha e imam Mehdiut është afruar pas vrasjes së fundit me 313 ushtarë, liderë të tij, të caktuar për botë, janë të zgjedhur dhe në mesin e tyre edhe 50 gra, ku ajo parapëlqen të jetë në mesin e tyre”, thuhet në arsyetimin e aktakuzës.

Për këto akuza, Igball Huduti ishte pyetur në fazën e hetimeve, por ajo kishte thënë se në asnjë mënyrë nuk ka kryer veprime inkriminuese të thirrjes me përmbajtje kërcënuese për kryerjen e veprave terroriste, duke pretenduar se me këtë postim ajo nuk ka bërë thirrje për hakmarrje, “sepse hakmarrja sipas ideologjisë kuranore fundin e jep me falje”.

Mirëpo, këtë mbrojtje prokuroria e ka konsideruar jologjike dhe kontradiktore me gjendjen faktike si dhe provat materiale, duke konsideruar se kjo mbrojtje është e koncentruar në shmangien e përgjegjësisë penale.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Më poshtë gjeni aktakuzën e plotë kundër Igball Berisha të ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës /Gazeta Sinjali/