image Ekonomia globale në terren të panjohur, bota e zhytur në borxhe dhe rreziku për vendet e varfëra

Botë

Koronavirusi/ Ekonomia globale në terren të panjohur, bota e zhytur në borxhe dhe rreziku për vendet e varfëra

news image

G20 vendos të injektojë 5 trilion dollarë në kohën kur askush nuk e di fundin e kësaj situate.

Një botë e kërcënuar nga katastrofa njerëzore, sociale, ekonomike dhe financiare në një “déjà vu”, që kërkon reagim global. Ashtu si herën e fundit në Uashington, të Premten e 14 Nëntorit 2008.

Aso kohe 20 krerë shtetesh e qeverishë u bënë bashkë për të frenuar zgjerimin e krizës financiare e hipotekore që nisi në SHBA, duke u bërë shpejt kërcënim për gjithë ekonominë botërore.

Kgalema Motlanthe (Afrika e Jugut), Luiz Inacio Lula da Silva (Brazili), Hu Jintao (Kina), Silvio Berlusconi (Itali), Dmitri Medvedev (Rusi), Taro Aso (Japoni), Nicolas Sarkozy (me pozicionin të dyfishtë si president i BE-së dhe Francës) …

Askush nuk mungoi pas ftesës së George W. Bush, në emër të SHBA që kishte presidencën e G20. Dy ditë diskutime, një komunikatë përfundimtare, shtrëngime duarsh e në fund, fotoja tradicionale e samitit.

Një botë e ndalur

Dymbëdhjetë vjet më vonë, “deja-vu”-ja është e pjeshme. Këtë herë G20 po përpiqet të gjejë zgjidhje për një virus që kalon nëpër të gjitha dyert. Kësaj radhe s’ka bërryla.

Drejtuesit e G20 mbajtën një samit virtual (të enjten e 26 marsit 2020) për të koordinuar përgjigjen e tyre ndaj kërcënimit të recesionit që shfaqet para ekonomisë globale nga koronavirusi. Videokonferenca u kryesua nga Mbreti Salman i Arabisë Saudite që mban presidencën e rradhës.

Diskutimet u mbajtën në ditën kur numri i viktimave të pandemisë tejkaloi 21,000 vetë dhe kur më shumë se 3 miliardë njerëz në mbarë botën janë të bllokuar në shtëpi.

Pas vendimit historik të SHBA për një paketë stimulimi prej 2 trilion dollarë – papunësia në vend mund të ngjitet deri në 30 për qind – udhëheqësit e G20 njoftuan qëllimin e tyre për të injektuar “më shumë se 5 trilion dollarë ”në ekonominë botërore për të “kundërshtuar pasojat sociale, ekonomike dhe financiare të pandemisë ”.

“Jemi të vendosur forcërisht për të qenë bashkë kundër këtij kërcënimi,” thanë përfaqësuesit e fuqive më të mëdha botërore në deklaratën përfundimtare. Përveç dramave njerëzore, tragjeditë ekonomike mund të shumëfishohen.

Padyshim që, përveç ekspertëve të vetëshpallur, shumica e ekonomistëve pranojnë se po ecim nëpër mjegull. Kësaj here, më shumë se kurrë më parë, ekonomistët kanë vërtet përshtypjen e ecjes në “terra incognita”. Si mund të bësh parashikime kur shifrat ndryshojnë brenda ditës?

Globalizimi bllokohet

Sot, shtigjet e globalizmit ekonomik janë bllokuar. Në dyzet vitet e fundit, shumëkombëshet kanë bërë bast me uljen e barrierave tarifore dhe shtegtuan në vendet me kosto të ulët të punës.

Në kazinonë e Bursës Botërore, kapitali ndoqi këtë lëvizje në të gjithë drejtimet, nga spekulimet e pastra deri tek investimet afatgjata. Në këmbim, intensiteti i tregtisë globale të mallrave rriti shpejtësinë vazhdimisht.

Tani, në mënyrë të pashmangshme, kur Kina, mushkëria e këtij globalizimi, teshtin, i gjithë planeti ndjen pasojat. Kur rrallë kishim parë rënie me disa pikë, tani jemi përballë një ekonomie të gjymtuar nga epidemia e koronavirusit.

Në Kinë, qindra mijëra kontejnerë janë bllokuar në porte, nën një qiell të pastruar nga retë e ndotjes, aeroplanët janë gozhduar në tokë, në qytete dyqanet, rrugët dhe  transporti po zbrazen dëshpërimisht. Kjo lloj rënie po i çmend ekonomistët.

Shto këtu edhe rënien e prodhimit, konsumit, investimeve, konsumit të energjisë, etj. Prodhimi i brendshëm bruto i Kinës mund të ketë rënë mbi 20% në tremujorin e parë të 2020, krahasuar me tremujorin e fundit të 2019.

Një recesioni global po i përfshin të gjithë. Kriza globale e shëndetit tregoi se sa thellë e varur është ekonomia botërore nga Kina. Në vetëm dy dekada, “fabrika e botës” është bërë qendra nervore e globalizmit. Shumë ekonomistë besojnë se globalizimi është bërë aq shumë “kinez”, sa po kushtëzon gjithë botën.

Nuk jemi më në fillim të viteve 2000, në kohën e epidemisë SARS (sindromi i rëndë akut i frymëmarrjes). Kina atëherë përfaqësonte më pak se 5% të PBB-së botërore, ajo ishte një fuqi në zhvillim si Brazili, India dhe Rusia.

Njëzet vjet më vonë, ajo është ekonomia e dytë botërore që përfaqëson 20% të pasurisë globale, një të tretën e rritjes botërore, 30% e prodhimit të prodhimit global dhe ca më shumë në tregtinë ndërkombëtare.

Bota e zhytur në borxhe

I kufizuar vetëm në Kinë, Codiv-19 sigurisht që do të kishte dëmtuar ekonominë botërore. Por i shpërndarë në të gjithë botën, ekonomia globale është në rrezik të lartë. Kjo për faktin se trashëgon shqetësime serioze.

Sipas FMN, borxhi publik global dhe privat në vitin 2017 tejkaloi 180 trilion dollarë, të tërhequra nga vendet më të pasura. Institucionet janë të shqetësuara për këtë “të metë” të madhe që la kriza financiare e vitit 2008, ndësa jemi në një krize të re financiare.

Asnjëherë planeti nuk ka qenë aq i zhytur në borxhe në kohë paqeje. Rezultati i një dekade me norma interesi zero tani ka efekte shkatërruese. Çfarë do të ndodhë nëse, për mungesë të mjeteve monetare, një kaskadë ndërmarrjesh nuk do mund të paguajnë më kreditë e tyre, e më pas do mbyllen duke nxjerrë punonjësit në rrugë?

Kjo është pikërisht frika e tregjeve financiare. Ekonomistët janë në panik. Ngushëllohen vetëm me njoftime nga autoritetet publike. Shpresat janë varur tek shkencëtarët e shëndetit. Mbetet e madhe frika se kriza ekonomike mund të shartohet me atë financiare të shkaktuar nga falimentimet kaskadë.

Vlerësimet e paqarta aktuale tregojnë për një humbje prej 30% të produktit të brendshëm bruto në zonën e euros në tremujorin e dytë, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2020.

Më keq se 29?

“Ajo që ne po përjetojmë nuk ka asnjë krahasim tjetër përveç Depresionit të Madh të vitit 1929”, tha ministri francez i ekonomisë, Bruno Le Maire. Një krahasim i tmerrshëm.

Kriza ekonomike dhe sociale e lindur nga mega-kolapsi i tregut të aksioneve të enjten 24 tetor 1929, në fakt, provokoi një kataklizëm financiare. Ministri francez nuk është i vetmi që mendon ashtu.

A duhet ta marrim këtë si të mirëqenë? Mbase jo! Por ajo që dimë me siguri është se cilat ishin pasojat e Depresionit të Madh të viteve 1930: një procesion mjerimi, vdekje dhe trazirave sociale dhe politike, dhe në fund ardhja e nazizmit. Dhe e gjitha kjo edhe për shkak të “terapive” të asaj kohe, që më shumë bënin dëm sesa mirë.

Bankat qendrore përkrah qeverive

Të shmangen me çdo kusht falimentimet, pushimet nga puna, rifinancimi i sektorëve të shëndetit … një mori problemesh të mëdha ekonomike, financiare dhe sociale duhet të parandalohen me çdo kusht.

Në mënyrë të pashmangshme, fatura do të jetë e kripur për financat publike të shumicës së vendeve, natyrisht për ata që mund ta përballojnë shpenzimin.

Sepse më shumë se kurrë, bota është e ndarë në disa blloqe: nga njëra anë vendet më të pasura (me mjete financiare), në anën tjetër vendet më të varfra (pa burime buxhetore), në mes lista e vendeve të klasifikuara në kategorinë ‘të ekspozuara’ (pjesa më të madhe varen nga kapitali i huaj dhe çmimi i lëndëve të para).

Sigurisht, ka guru kaosi që thonë se këtë herë mjetet e politikës monetare do të jenë joefektive për shkak të çmendurisë së normave të interesit gati zero. Për të shmangur paralizën totale, shumica e bankave kryesore qendrore janë duke ulur ndjeshëm normat e interesit, duke injektuar likuiditet në sistemin financiar.

Për të shpëtuar bankat e tyre të pakujdesshme, shtetet gjithashtu edhe më parë kanë hyrë në borxhe tek bankat qendrore. 12 vjet më vonë, nuk është e lehtë më për shtetet si Franca, Italia, Spanja, Greqia që hyjnë në borxhe me tregjet financiare, të cilat kanë frikë nga një mospagim nga këto shtete.

“Paraja helikopter”

Pikërisht për të lehtësuar këtë presion shumica e bankave kryesore qendrore tani janë duke manovruar. Kësaj here, ëndrra e kartëmonedhave të rëna nga qielli mund të realizohet. Sigurisht, paratë nuk do të vijnë nga qielli.

Por kurrë më parë imazhi i liberalit Milton Friedman, një profesor i ekonomisë në Çikago, i pari që foli për idenë e “parasë helikopter”, nuk ka qenë më afër realitetit të politikës monetare. Nuk ka kohë për hezitim.

Një javë më parë, Banka Qendrore Evropiane njoftoi, pas një takimi urgjent, se ishte gati për gjithçka. Përfshirë edhe blerjen e bonove sovrane nga vendet e eurozonës.

Ndryshimi i paradigmës është total. Këtë herë, ne jemi duke parë një ndërthurje të përpjekjeve për  stimulim të politikës fiskale me mjetet e politikës monetare. A mos është kjo një politikë e rrezikshme në planin afatgjatë? Gjithçka varet se si do të shkojnë punët!

Rreziku për vendet e varfëra

Më e keqja ka të ngjarë të vijë nga vendet në zhvillim dhe vendet më të varfëra. Në teori, këto dy kategori duhet të mbështeten në njoftimin e G20 për 5 trilion dollarët e solidaritetit global. Nuk është e sigurtë që tregjet financiare e besojnë këtë.

Në Brazil, Argjentinë, Afrikën e Jugut, Indi dhe madje edhe në Rusi, treguesit e konfirmojnë që një krizë buxhetore e fortë nga nevoja financiare në përgjigje të koronavirusit është e ndërlikuar nga efektet e fluksit të kapitalit.

Një mekanizëm që mund të përkthehet, si gjithmonë, me rënie të monedhave vendase, rritje të borxheve të jashtme të shprehura në dollarë dhe inflacion të brendshëm. Situata e këtyre shteteve është gjithnjë e më e brishtë pasi shumica e këtyre ekonomive varen nga çmimi i lëndëve të para.

Vështirë për të financuar shpenzime publike, të tilla si shëndetësia, kur çmimet e naftës, sheqerit, kafesë, kallajit ose bakrit bien. E kolapsuar mund të bëhet situata për vendet më të varfëra.

Tani, nga Malawi në Mozambik, nga Bolivia në Peru, zhytja rritet për ditë e më tepër nga njëra anë për shkak të rritjes së epidemisë Covid-19, e nga ana tjetër nga rënia e ekonomisë dhe të ardhurave nga taksat.