image Ekipi i avokatëve të Donald Trumpit jep dorëheqje

Botë

Ekipi i avokatëve të Donald Trumpit jep dorëheqje

news image

Pesë avokatët e fajësimit që priteshin që ta përfaqësonin ish-presidentin Donald Trump kanë dhënë dorëheqjen e tyre, raporton ABC News, transmeton Gazeta Sinjali.

Sipas burimeve të ABC News, ekipi i udhëhequr nga avokati i Karolinës së Jugut, Butch Bowers dha dorëheqje për shkak të mosmarrëveshjeve rreth mënyrës së mbrojtjes së Trumpit. Avokatët kishin planifikuar të argumentonin kushtetueshmërinë e mbajtjes së një gjykimi, duke qenë se Trumpi tani është një ish-president.

Burimet e ABC News kanë bërë të ditur se Trumpi donte që ekipi i tij të argumentonte se kishte mashtrim në zgjedhje, kurse avokatët dhe disa këshilltarë të lartë të ish-presidentit donin që fokusi të mbetet në kushtetuetshmërinë e një gjykimi me presidentin jo më në zyrë.

Trumpi akuzohet për “nxitje të kryengritjes” pas rrethimit të dhunshëm në Capitol të SHBA-së që la një oficer policie dhe katër persona të tjerë të vdekur. Dhuna, e cila u zhvillua më 6 janar, u paraprinë nga një tubim i Trumpit kur ai u tha mbështetësve të tij që të drejtoheshin në Capitol dhe në mënyrë të përsëritur tha se ata duhet të luftonin.

“Përpjekjet e demokratëve për ta fajësuar një president i cili tashmë ka lënë detyrën është totalisht antikushtetuese dhe kaq e keqe për vendin tonë. Në fakt, 45 senatorë kanë votuar tashmë se është antikushtetuese. Ne kemi bërë shumë punë, por nuk kemi marrë një vendim përfundimtar në ekipin tonë ligjor, i cili do të bëhet së shpejti”, tha Jason Miller, zëdhënës i Trump, për ABC News të shtunën.

Gjyqi i Senatit është planifikuar të fillojë më 8 shkurt. Dy të tretat e Senatit, ose 67 senatorë, do të duhet të votojnë pro që vendimi për dënimin e Trumpit të ketë sukses. Kjo do të thotë se 17 senatorë republikanë do të duhet të shkojnë në anën e demokratëve./Gazeta Sinjali/