Kryeshefja ekzekutive e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright, vajza e ish-sekretares amerikane Madeleine Albright, ka marr pjesë në përurimin e renovimit të soliterave në lagjen Ulpiana në Prishtinë.
MCC ka ndarë 11 milionë euro për kursimin e energjisë ku 1 mijë shtëpi janë izoluar tërësisht dhe mbi 20 banesa shumë katëshe në shtatë qytete të Kosovës.
Albright me këtë rast tha se MCC ka bashkëpunim me 40 shtet të botës dhe se me Kosovën bashkëpunimi ka filluar në vitin 2017 duke investuar 49 milionë euro.
“Që nga viti 2004 MCC në bashkëpunim me 40 shtetet e botës kanë ndihmuar gjithandej në botë.
MCC me Kosovën ka bashkëpunuar që nga viti 2017 kur kemi bërë nënshkrimin e marrëveshjeve, me Kosovën kemi punuar bashkërisht në furnizim me energji elektrike e në sundim të ligjit”, tha ajo.
Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, tha se ShBA-ja do ta ndihmojë Kosovën në kapërcimin e krizës energjetike.
“Siç e dini kriza e energjisë që po ndodhë në botë është duke ndodhur edhe në Kosovë.
Natyrisht, ShBA është duke e ndihmuar Kosovën. Këtu kemi një partneritet te fuqishëm, shpresojmë që banorët do ta kenë një dimër më të ngrohtë”, tha ai.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se ShBA-ja mbetet faktor kyç i bashkëpunimit në fushën e energjisë.
Sipas saj, në këtë kohë krize investimi në energji të pastër është tejet i nevojshëm.
“SHBA ka qenë dhe janë faktorë kyç në ndihmën që i bëjnë Kosovës në energji. Investimet e tilla janë të nevojshme në këtë kohë. Kemi filluar me një fond prej 6 milionë euro në ndihmë për qytetarët”, përfundoi Rizvanolli.