Për kryeministrin Edi Rama, sot Shqipëria zgjodhi një president normal.
Pas zgjedhjes së Bajram Begajt President, Rama tha se Shqipëria tashmë ka një president të pakontestueshëm.
“I kemi dhënë Shqipërisë një president normal, një figurë të pakontestueshme në aspektin e integritetit, humanizmit dhe patjetër edhe përkushtimit për vendin. Partia Socialiste është këtu për Shqipërinë dhe jo për veten. Ajo që ka rëndësi për të sotmen dhe të ardhmen është që Shqipëria pas një periudhe dramatike në zyrën e Kreut të Shtetit, do të ketë një president normal për një vend normal”, tha Rama.
Ndryshe, Bajram Begaj është zgjedhur sot president i Republikës së Shqipërisë me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim.
Ai do të jetë President i tetë i Republikës së Shqipërisë pas rënies së regjimit komunist në vitin 1990.