Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka akuzuar Mbretërinë e Bashkuar se po sulmon shqiptarët për të justifikuar “politikat e dështuara” të saj për kufijtë dhe migracionin.
Edi Rama tha për BBC se komentet e Sekretares së Brendshme të Britanisë Suella Braverman këtë javë se Britania e Madhe po pushtohet do të nxiste ksenofobinë.
“Kjo lloj gjuhe nuk është një politikë, nuk është një program”, shtoi ai.
Shqiptarët janë tashmë grupi më i madh i atyre që kalojnë Kanalin Anglez me varka të vogla.
Zonja Braverman, e cila tha të hënën se Anglia jugore po përballej me një “pushtim” të emigrantëve, ka akuzuar gjithashtu shumë shqiptarë për “abuzim me ligjet tona moderne të skllavërisë”.
Javën e kaluar, deputetëve iu tha se 12,000 shqiptarë kishin mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar pasi kaluan Kanalin Anglez deri më tani këtë vit, krahasuar me 50 në 2020.
“Unë admiroj gjithçka që përfaqëson Britania. Por me të vërtetë jam i neveritur për këtë lloj politike që në fund është e dënuar të dështojë”, tha Rama.
Kjo vjen pasi Rama shkroi më herët në Twitter se Britania e Madhe po “diskriminon” shqiptarët për të shkëputur vëmendjen nga “dështimet e politikave”.
I pyetur për këto komente, Ministri i Emigracionit në Britani Robert Jenrick tha se donte një “marrëdhënie produktive” me Ramën.
“Por është gjithashtu e vërtetë se Shqipëria është një vend i sigurtë, dhe shumica dërrmuese e njerëzve që vijnë nga Shqipëria janë meshkuj të rinj”.