Kosovare Ramadani, ëndërron të jetë ushtare. 23 vjeçarja nga Shtimja është e mbuluar me shami myslimane dhe beson se mbulesa ishte arsyeja pse asaj iu shkëput ëndrra në gjysmë.
Në shkurt të 2019-ës Kosovarja aplikoi për tu bërë pjesë e FSK-së ajo kaloi testin fizik dhe atë të inteligjencës, ndërsa në intervistën para panelit diskutimi ishte mbulesa, shkruan Prishtina Insight.
“Në intervistë më është cekur çështja e mbulesës në fillim të testimit. Më është bërë e ditur se mbulesa do të jetë shkaku kryesor për mospranim, ku dhe pala intervistuese ka kërkuar nëse pranoj të bëj një marrëveshje me ta, që në rast të pranimit ta heq mbulesën. Unë nuk kam pranuar të heq mbulesën, por kam pranuar se të gjitha kodet do t’i pranoj”, rrëfen Ramadani
Rezultatet e intervistës ishin publikuar pak ditë më vonë. Ajo në testin e njohurive të përgjithshme, kishte kaluar 65 për qind dhe në testim fizik 90 për qind, por në intervistë ishte vlerësuar me zero pikë.
“Në intervistë kam marrë 0 pikë dhe është cekur se jam e mbuluar. Do të thotë arsyeja pse kam marrë 0 pikë ka qenë mbulesa”, shpjegon Ramadani.
Në Ushtrinë e Kosovës kriteret janë të qarta të gjithë duhet të jenë të uniformuar në të njëjtën formë dhe mbulesa paraqet problem.
Ibrahim Shala nga Ministria e Mbrojtjes thotë që FSK-ja është ushtri profesionale dhe vullnetare dhe në asnjë rrethanë ajo nuk ia përshtatë individit uniformën, por duhet individi t’i përshtatet rregullave dhe kodit të ushtrisë.
“Uniformë do të thotë të gjithë një lloj. Nëse individi insiston që veshjen e vet të jetës civile ta mbajë edhe në shërbim ushtarak, ai me këtë veprim ka përjashtuar veten për të qenë pjesë e ushtrisë, pavarësisht aftësive të tij intelektuale dhe fizike apo edhe gjinisë. Në kësi raste gjithçka përfundon këtu”, thotë Shala.
Ai sqaron se të gjithë kandidatët mund të ngritin çështje gjyqësore për pakënaqësitë në procesin e rekrutimit të kadetëve të FSK-së.
Sipas avokates, Nora Huseinovic-Veliu, shumë gra me shami qoftë sikur rasti i Ramadanit që dorëzohen nga betejat ligjore – për shkak të financave dhe kohëzgjatjes deri dhjetë vjet për një vendim.
“Ky proces, përveç që është i mundimshëm për viktimën e diskriminimit nga aspekti psiko-social, është edhe jashtëzakonisht i kushtueshëm, ngase duhet angazhuar avokat, shërbimet e të cilit duhet paguar – jo aq lirë për standardin jetësor në Kosovë” thotë Veliu.