Shumica e demokratëve dhe të paktën një republikan kanë kërkuar që sot ditë e hënë, 11 janar, të fillojë procesi i largimit të Trumpit nga posti i presidentit.
Trumpi fajësohet për nxitje dhune në Kongres.
Kongresmeni i Kalifornisë Ted Lieu, ka bërë të ditur se ai shpreson që zëvendëspresidenti Mike Pence t’i referohet amendamentit të 25-të, ose që demokratët të nisin procedurën për largimin (impeachment) e presidentit Donald Trump nga posti i tij, për shkak të nxitjes së dhunës në Kongres.
Kjo procedurë pritet të fillojë sot, bëjnë të ditur qarqet politike në Washington.
“Të gjithë ne, përfshirë edhe kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, rekomandojmë që Donald Trump thjesht të bëjë gjënë më të duhur, që të japë dorëheqje, ose që zëvendëspresidenti Mike Pence të tregojë vërtet se ka bosht kurrizor politik, të paktën për vete dhe familjen e tij, dhe të kërkojë aplikimin e amendamentit 25,” tha Lieu për CNN.
Amendamenti 25 mund të përdoret në qoftë se presidenti i SHBA-së nuk është në gjendje të kryejë detyrën e tij zyrtare.
Lieu ka dërguar të shtunën një mesazh në Twitter ku thuhet se kjo iniciativë ka ndërkohë 180 mbështetës, të cilët kërkojnë largimin e Trumpit nga posti i presidentit.
Trumpi i cili duhet të largohet nga zyra e presidentit me 20 janar, është kritikuar ashpër ditët e fundit për shkak të dhunës në Kongresin amerikan të mërkurën.