image Edhe Nisma shpërfill vendimin e Kushtetueses, kandidon për deputet një të dënuar me burgim me kusht

Politikë

Edhe Nisma shpërfill vendimin e Kushtetueses, kandidon për deputet një të dënuar me burgim me kusht

news image

Nisma Socialdemokrate ka publikuar sot listën me emrat e 110 kandidatëve të saj për deputetë, të cilën e ka dorëzuar mbrëmë për certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, shkruan Gazeta Sinjali.

Por kjo listë rrezikon të mos certifikohet e plotë nga KQZ-ja.

Të paktën, “pre” e aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese – i cili ua ndalon kandidimin për deputetë personave të cilët janë dënuar me një vendim të formës së prerë nga gjykata gjatë tri viteve të fundit – do të bie numri 17 i kësaj liste, Besnik Berisha.

Kjo pasi që Berisha, ish-udhëheqës i Divizionit të Prodhimit të Dokumenteve në Ministrinë e Punëve të Brendshme është shpallur fajtor nga Gjykata në Prishtinë më 9 mars të vitit 2018.

Gazeta Sinjali këtë e ka konfirmuar edhe nga një burim i afërt me Berishën.

Atëkohë ai u dënua me 6 muaj burgim me kusht për “zbulim të fshehtësisë zyrtare”, ndërsa u lirua nga akuza për “keqpërdorim detyre”.

Ai akuzohej për “keqpërdorim detyre” dhe “zbulim të fshehtësisë zyrtare” në lidhje me prodhimin e dokumenteve dhe shenjave të sigurisë së pasaportave.

Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese e ka shkelur edhe Lëvizja Vetëvendosje kur vendosi t’i kandidojë për deputetë Albin Kurtin dhe Albulena Haxhiun, të cilët në shtator të vitit 2018 ishin dënuar me gjobë për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Po ashtu, Instituti i Kosovës për Drejtësi zbuloi që në listën zgjedhore të Listës Serbe është Milan Aritonoviç, i dënuar me 500 euro gjobë për “mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë materiale ose detyrimeve financiare” më 21 shtator të vitit 2018.

Prej nesër deri më 20 janar, Këshilli Gjyqësor i Kosovës do t’i verifikojë listat e të gjitha partive politike që kanë aplikuar për certifikim në KQZ për kandidim në zgjedhjet e 14 shkurtit./Gazeta Sinjali/