image EBU kërkon nga Qeveria Kurti rritjen e buxhetit të RTK-së

EBU kërkon nga Qeveria Kurti rritjen e buxhetit të RTK-së

news image

Duke konstatuar se buxheti i ndarë për RTK-në nga ana e Qeverisë së Kosovës për vitin 2023, është i pamjaftueshëm për mirëfunksionimin e Transmetuesit Publik, Drejtori i Përgjithshëm i Unionit të Transmetuesve Publik Evropian (EBU), Noel Curran, u ka dërguar nga një letër, kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Pasi rikujton se me 8.9 milionë euro buxhet vjetor për RTK-në janë të pamjaftueshme për funksionimin si edhe realizimin e detyrave, sipas ligjit për Transmetuesin publik, Curran i kërkon kryetarit të Kuvendit Konjufca dhe Kryeministrit Kurti, rritjen e buxhetit.

Duke dhënë edhe shifra konkrete, Curran deklaron se buxheti aktual i RTK-së është më i ulti, nëse krahasohet me Transmetuesit Publik të vendeve në rajon.
Ai gjithashtu thekson faktin se RTK-ja ka hyrë në procese të guximshme reformuese nën menaxhmentin e ri dhe me mbështetjen e Bordit.

“RTK-ja ka hyrë në procese të guximshme reformuese nën menaxhmentin e ri dhe me mbështetjen e Bordit . Po kryen reforma strukturore gjithëpërfshirëse dhe organizative për transformim dixhital dhe për të siguruar efikasitet që përfshinë mosvazhdimin e kontratave për rreth 25% të stafit të saj” thuhet në letrën dërguar Kurtit e Konjufcës.

Duke iu drejtuar Kryeparlamentarit dhe Kryeministrit, në emër të EBU-së, Curran u kërkon atyre të ndikojë që Kuvendi i Kosovës, të mbështesë financimin adekuat të RTK-së, që do t’i mundësonte Transmetuesit Publik të përmbushë misionin e tij në shoqëri.

“Rekomandimi i Këshillit të Evropës CM/Rec (2012)1 mbi qeverisjen e mediave të shërbimit publik kërkon që shtetet të sigurojnë financimin e duhur dhe të sigurt të Mediave Publike. Buxheti aktual i RTK-së rrezikon seriozisht funksionimin e RTK-së, institucion ky që është i rëndësishëm për shoqërinë dhe demokracinë”.

Javën e kaluar, Kuvendi i Kosovës votoi në parim projekt buxhetin për vitin 2023 në vlerë 3.2 miliardë euro.

Në këtë ndarje buxhetore, Transmetuesit Publik i janë ndarë 8.96 milionë euro, apo 2.2 milionë më pak sesa buxheti i vitit 2021e që është ndër më të ultit në dhjetë vitet e fundit.

Më poshtë sjellim letrat (e njëjta) e Noel Curran, Drejtor Gjeneral i EBU-së, drejtuar kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca dhe Kryeministrit Albin Kurti.

image 483

/GazetaSinjali/