Një ngjarje e rëndë dyshohet të ketë ndodhur në rrugën “UÇK” në Pejë, natën e 12 korrikut. Një burrë (emër i njohur për redaksinë) ka rrahur dhe e ka detyruar gruan e tij për të kryer marrëdhënie seksuale, pa pëlqimin e saj. I dyshuari gjendet në ndalim policor ndërsa ndaj tij, Prokuroria Themelore në Pejë ka kërkuar nga Gjykata që t’ia caktojë masën e paraburgimit.
Por si ndodhi kjo ngjarje, pas mesnatës së 12 korrikut në Pejë?
I dyshuari, që kishte qenë nën ndikim të alkoolit fillimisht e kishte ofenduar gruan e tij, me fjalë fyese, e më pas e kishte sulmuar fizikisht.
Për t’u mos mjaftuar me kaq, i njëjti derisa po e sulmonte bashkëshorten, kishte tentuar t’ia shkul dhëmbët.
Por nuk mbaroi me kaq për gruan që përjetoi tmerrin atë natë. Burri i saj derisa e rrihte, e kafshoi atë në pjesën e epërme të trupit dhe në fund e kapi për fyti.
Në atë gjendje, i dyshuari e detyroi viktimën gruan e tij, të kryenin marrëdhënie seksuale, shkruan Gazeta Sinjali.
I njëjti po dyshohet se ka kryer veprën penale “dhunimi” dhe “dhunë në familje”.
Ngjarjen e tmerrshme që i ndodhi, gruaja e raportoi në Policinë e Kosovës, në orët e mbrëmjes të 12 korrikut.
Lidhur me këtë rast është mbajtur sot seanca në Gjykatën Themelore në Pejë, ku është urdhëruar që ndaj të dyshuarit të zgjatet ndalimi prej 48 orësh, deri në marrjen e vendimit.