image “E para por jo e fundit…”, kush është Kamala Harris, gruaja e parë zëvendëspresidente në SHBA

Botë

“E para por jo e fundit…”, kush është Kamala Harris, gruaja e parë zëvendëspresidente në SHBA

news image

Kamala Harris u bë gruaja e parë zëvendëspresidente në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas fitores së demokratit Joe Biden, i cili u bë presidenti i 46-të në këtë kontinent, shkruan Gazeta Sinjali.

Në një video të postuar në rrjetet sociale, ajo ndan lajmin me presidentin e zgjedhur, Joe Biden: “Ne ia dolëm Joe. Ti do të jesh presidenti i ardhshëm i SHBA-së.”

Ajo flet për të, por historia për momentin, është fiksuar tek ajo. Vetëm një vit më parë, si senatore nga California që shpresonte të merrte nominimin demokrat për presidencën, ajo lëshoi një sulm të ashpër ndaj Joe Biden gjatë një debati.

Shumë menduan se ajo i shkaktoi një telash të madh ambicies së tij. Por në fund të vitit, fushata e saj ish mbyllur dhe ishte Biden që e riktheu 56-vjeçaren në vëmendje duke e përfshirë atë në biletën e tij.

E lindur në Oakland të Californias, nga dy prindër emigrantë, një nënë e lindur në Indi dhe një baba i lindur në Jamaica, prindërit e saj u ndanë kur ajo ishte pesë-vjeçare dhe Kamala u rrit nga nëna e saj, një kërkuese për kancerin dhe aktiviste e të drejtave të njeriut.

Ajo u rrit me traditat indiane por Harris thotë se e ëma kishte përqafuar kulturën me ngjyrë të Oaklandit. Rrënjët e saj, bëjnë që ajo të mishërojë aspiratat e shumë identiteteve amerikane. Ato pjesë të vendit që kanë parë ndryshime të shpejta demografike, shohin tek ajo shpresë.

Vetë Kamala thotë se ka qenë gjithnjë në paqe të plotë me identitetin e saj dhe e përshkruan veten thjeshtë si një amerikane. Shpesh ajo kërkon tani ndryshim të praktikave politike në SHBA.

Në Twitter ajo kërkon arrestimin e policëve që vranë Breonna Taylor, afro-amerikanen 26-vjeçare nga Kentucky, dhe flet shpesh për nevojën për të shkulur nga rrënjët racizmin. Ajo ka prapavijën e duhur por përtej kësaj, shpesh ka thënë se identiteti, e bën atë shumë të përshtatshme për të përfaqësuar të margjinalizuarit. Dhe tani, e ka shansin të bëjë gjithë këtë, nga brenda Shtëpisë së Bardhë.

“Unë mund të jem gruaja e parë në këtë detyrë, por nuk do të jem e fundit”, tha ajo. /Gazeta Sinjali/