E ngacmoi seksualisht të miturën, Themelorja e dënoi me 6 muaj burgim ndërsa Apeli ia rriti dënimin një vit më shumë
Gjykata Themelore në Prishtinë, N.G e dënoi me 6 muaj burgim lidhur me akuzën se nga janari deri në mars të vitit 2021, e ngacmoi seksualisht të miturën 14-vjeçare A.Sh, ndërsa Gjykata e Apelit ia rriti dënimin për një vit më shumë.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar të dy aktgjykimet, atë të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe të Gjykatës së Apelit.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, rezulton se N.G ishte shpallur fajtor për veprën penale “Ngacmimi seksual” dhe ishte dënuar me 6 muaj burgim.
Ai ishte shpallur fajtor sepse ekzistonte dyshimi i bazuar se nga muaji janari deri në fund të muajit mars 2021, me qëllim të ngacmimit seksual, të miturën-të dëmtuarën A.Sh fillimisht e kishte shikuar në mënyrë provokative, e ka joshur me dhurata, i ka dërguar foto të tija me pamje nga plazhi dhe më pas e ka prekur dhe përkëdhelur në dorë dhe në bel, si dhe e ka puthur në fytyrë afër buzës, duke cenuar dinjitetin e saj e duke krijuar një mjedis objektivisht frikësues, degradues ose poshtërues.
Me çka, tek e dëmtuara ka shkaktuar shqetësim të madh për shkak të ndjeshmërisë së moshës.
Në arsyetimin e këtij aktgjykimi thuhet se, në shqyrtim gjyqësor prokurorja kishte precizuar aktakuzën sa i përket kualifikimit ligjor të veprës penale, ku në vend të “Ngacmimit” e kishte precizuar si “Ngacmim seksual”, nga neni 183 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
N.G kishte pranuar fajësinë për veprën penale që i vihej në barrë, i cili kishte deklaruar se ishte bërë pa dashje.
Tutje, në aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë thuhet se me rastin e matjes dhe shqiptimit të dënimit gjykata mori parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese që ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit në pajtim me nenin 69 të KPRK-së.
“Ku si rrethanë lehtësuese mori sjelljen korrekte të të pandehurit në gjykatë gjatë shqyrtimit gjyqësorë, pranimin e fajësisë, pendimin për veprën e kryer penale, shprehjen e keqardhjes, prandaj të akuzuarit i shqiptoi dënimin si në aktakuzë, duke qenë e bindur se me këtë dënim do të arrihet qëllimi i dënimit dhe vlerësoi se dënimi është i mjaftueshëm të ndalojë që kryerësi të mos kryej vepër tjetër penale dhe të forcoj moralin dhe vetëdijen” thuhet në arsyetimin e aktgjykimit të Gjykatës Themelore.
Ndërsa, si rrethanë rënduese kjo gjykatë kishte marrë parasysh vetëm moshën e të personit të dëmtuar.
Mirëpo, me këtë dënim nuk u pajtuan prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mbrojtësit e të akuzuarit N.G, si dhe përfaqësuesja e autorizuar e të dëmtuarës A.Sh.
Prokurori i shtetit dhe përfaqësuesja e të dëmtuarës, përmes ankesës kishin kërkuar nga Gjykata e Apelit që N.G t’i shqiptohej një dënim më i lartë me burgim, ndërsa mbrojtësit e N.G i kishin propozuar Apelit që aktgjykimin e ankimuar ta anulojë pjesërisht dhe lëndën t’ia kthej në gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe vendim ose të njëjtën ta ndryshojë dhe të akuzuarit t’i shqiptohej vërejtje gjyqësore, dënim me gjobë apo të dyja.
Sipas vendimit të Apelit thuhet se, sa i përket sanksionit penal pretendimet ankimore të paraqitura në ankesën e Prokurorit të Shtetit dhe ankesën e përfaqësueses së autorizuar të të dëmtuarës përkitazi me dënimin e shqiptuar janë të bazuara, ndërsa pretendimet ankimore të mbrojtësve së të akuzuarit janë të pabazuara.
“Kjo për faktin se gjykata e shkallës së parë në përgjithësi drejtë i ka konstatuar rrethanat lehtësuese dhe rënduese, porse rrethanat lehtësuese sipas vlerësimit të Kolegjit Penal të kësaj gjykate i ka mbi vlerësuar, ndërsa ato rënduese i ka nënvlerësuar”, thuhet tutje në arsyetimin e Apelit.
E Gjykata e Apelit në korrik të këtij viti, ka marrë vendim me të cilin ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës së shkallës së parë dhe N.G i ka shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej 1 viti e 6 muaj.
Në vendimin e Apelit po ashtu thuhet se, një konstatim të tillë të rrethanave lehtësuese si të drejtë dhe të ligjshëm e aprovon edhe Apeli, por se vlerëson se rrethanat e lartcekura, të njëjtat gjykata e shkallës së parë i ka mbivlerësuar ngase duke pasur parasysh peshën e veprës penale të kryer e për të cilën parashihet dënim me gjobë ose me burgim deri në 3 vite, duke pasur parasysh moshën e të akuzuarit në kohën e kryerjes së veprës penale si dhe moshën e të dëmtuarës (e mitur 14 vjeçare), dallimin bukur të madh në moshë mes të akuzuarit dhe të dëmtuarës (mbi 20 vite), gjendjen emocionale të vet të dëmtuarës të shkaktuar si pasojë e veprimeve inkriminuese të të akuzuarit, kolegji i apelit ka vlerësuar se tani përgjegjësia penale e të akuzuarit është më e lartë.
“Andaj edhe ndryshoj aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë duke i shqiptuar të akuzuarit dënim më të lartë me burgim”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.
Vepra penale “Ngacmimi Seksual” parashihet në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, në Kapitullin XVI me nenin 183.
Neni 183
Ngacmimi Seksual
Kushdo që ngacmon seksualisht personin tjetër, në veçanti personin i cili është i ndjeshëm për shkak të moshës, sëmundjes, paaftësisë, varësisë, shtatzënisë, paaftësisë së rëndë fizike apo mendore, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tri (3) vjet.
Ngacmimi seksual nënkupton cilëndo formë të sjelljes së padëshiruar verbale, joverbale ose fizike të natyrës seksuale, me qëllim të cenimit të dinjitetit apo që cenon dinjitetin e personit, dhe krijon një mjedis i cili është objektivisht frikësues, armiqësor, degradues ose poshtërues.
Kur vepra penale nga paragrafi 1 i këtij neni kryhet nga kryesi i cili është mësues, udhëheqës fetar, profesionist i kujdesit shëndetësor, person të cilit i është besuar rritja ose kujdesi i personit
të tillë apo në ndonjë mënyrë tjetër ka pozitë të autoritetit mbi atë person, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet.
Kur vepra penale nga paragrafi 1, 2 ose 3 i këtij neni kryhet me përdorim të armës, mjetit të rrezikshëm ose ndonjë sendi tjetër që mund të shkaktojë lëndim të rëndë trupor apo dëmtim të rëndë të shëndetit mendor apo fizik, kryesi dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet.
Procedura penale për veprën penale nga paragrafi 1, 2 ose 3 i këtij neni fillohet sipas propozimit.