Gazeta Sinjali sot raportoi se Bashkim Spahiu, drejtor i Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës ka goditur me veturë një fëmijë në rrugën “Dardania” në Fushë Kosovë, me ç’rast viktima ka marrë lëndime dhe i është thyer këmba.
Sinjalizuesit e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se ky rast me urdhër të prokurorit do të trajtohet në procedurë të rregullt, ndërkaq Spahiu do të intervistohet të hënën për dyshimet e ngritura.
Lajmin e konfirmoi për Gazetën Sinjali edhe Inspektorati Policor i Kosovës, ku njoftuan se hetuesit e IPK-së kanë ndërmarrë veprime hetimore dhe rasti vazhdon sipas procedurës së rregullt.
Këtë rast e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës për Gazetën Sinjali, të cilët njoftuan se fëmija është dërguar në QKUK dhe është jashtë rrezikut për jetë, derisa zyrtari Spahiu që e goditi viktimën ishte me një veturë të tipit Mercedes.
Gazeta Sinjali ka provuar të kontaktojë edhe me Spahiun, por në momentin që e ka marrë vesh se për çfarë rasti është telefonuar, i njëjti e ka ndalur telefonin.
Gazeta Sinjali do të ju mbajë të informuar për këtë rast.