Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thirrur për 27 shkurt takimin në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kjo është bërë e ditur në një njoftim të lëshuar në uebfaqen e BE-së ku ndër të tjera bëhet e ditur se edhe Kurti edhe Vuçiq tashmë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Siç njoftohet Borrell bashkë me ndërmjetësin evropian, Miroslav Laçak fillimisht do të zhvillojnë takime të veçanta me liderët, pasuar nga një takim i përbashkët.
“Të hënën, më 27 shkurt, Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendës Presidenti Josep Borrell do të thërrasë një takim të nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë në Bruksel.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti konfirmuan pjesëmarrjen e tyre.
Përfaqësuesi i Lartë, i mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajčák, do të zhvillojë takime të veçanta me liderët, pasuar nga një takim i përbashkët. Në takim do të jetë propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e lëshuar.
Kurti dhe Vuçiq nuk kanë zhvilluar takim në kuadër të dialogut të Brukselit që nga nëntori i vitit 2022.
Vitin e kaluar, Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua propozimi evropian, apo siç njihet edhe si propozimi franko-gjerman.
Palët kanë konfirmuar se e pranojnë këtë dokument, por ai nuk është bërë publik.
Megjithatë, në një draft që e ka parë Radio Evropa e Lirë, aty nuk përmendet në mënyrë specifike njohja, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.
Palët kanë synime të ndryshme sa i përket marrëveshjes finale, që synohet të arrihet në këtë proces. Kosova insiston në njohje reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.