image E dhimbshme: 25-vjeçarja në Prishtinë aborton beben shkaku i dhunës, arrestohet burri i saj

Siguri

E dhimbshme: 25-vjeçarja në Prishtinë aborton beben shkaku i dhunës, arrestohet burri i saj

news image

Dhuna në familje është shndërruar në makth për vajzat dhe gratë në vendin tonë. Numri i rasteve që denoncohen çdo ditë në Polici ka marrë përmasa shqetësuese, pasi që vetëm gjatë këtij viti janë raportuar mbi 2 mijë raste të dhunës në familje. E shumë nga këto raste ndër vite kanë përfunduar me fatalitet për gratë, raporton Gazeta Sinjali.

Një ngjarje e dhimbshme dyshohet të ketë ndodhur së fundi në kryeqytet, ku viktimë e dhunës në familje është një grua 25-vjeçare. E përpos saj, keq e pësoi edhe fëmija të cilën ajo po e priste, pasi që ishte disa muajshe shtatzënë.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije detaje të trishta lidhur me rastin, ku dyshohet se bashkëshorti i viktimës ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj sistematikisht për rreth 6 muaj. Ajo dyshohet se si pasojë e dhunës së përjetuar, ka humbur fëmijën, duke pësuar abort.

Për shkak të gjendjes në të cilën ajo ndodhej, 25-vjeçares i është ofruar tretman mjekësor, ndërkohë që më pas ka dhënë edhe deklaratën e saj lidhur me rastin, ku ndër të tjera ka kërkuar që të strehohet diku tjetër pasi që nuk ndihet e sigurt të vazhdojë bashkëjetesën me të shoqin.

33-vjeçari i dyshuar është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Dhunë në familje’.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

/GazetaSinjali/