15 studentë serbë dyshohet se janë helmuar gjatë një vizite në Kosovë. Sipas burimeve të Gazetës Sinjali rasti ka ndodhur dje në Prizren.
Studentët që dyshohet se janë helmuar kanë qenë të shtrirë në Spitalin e Prizrenit, mëson Gazeta Sinjali.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar kryeinspektori sanitar, Ibrahim Tërshnjaku. Ai tha se bëhet fjalë për studentët e fakultetit të Historisë që kanë ardhur për vizitë nga Beogradi.
“Studentët janë hospitalizuar për shkak të dyshimit të helmimit në ushqim. Klinika infektive ju ka dalë në ndihmë pacientëve të sëmurë, janë përkujdesur në shërimin e tyre”, tha ai për Gazetën Sinjali.
Dyshohet se studentët janë helmuar për shkak të ushqimit që kanë ngrënë në katër vende të ndryshme.
“Vendet ku i kemi inspektuar janë dy kisha ku studentët kanë konsumuar ushqimin, njëra në Manastirin e Dragunacit të Novobërdës, pastaj 6 studentë kanë konsumuar në një qebatore në Graçanicë, pastaj si vend i dyshimtë për mundësi të helmimit është edhe kisha e Prizrenit dhe një ëmbëltore e qytetit të Prizrenit”, shtoi Tërshnjaku.
Për shkak të këtyre dyshimeve dy nga këto lokacione janë mbyllur.
“Për të verifikuar gjendjen higjeniko- sanitare dhe analizën e produkteve ushqimore lidhur me sigurinë e tyre, dy lokalet, qebatorja në Graçanicë dhe embëltorja në Prizren janë mbyllur përkohësisht deri sa të vijnë rezultatet e analizave. Edhe për institucionet fetare janë urdhëruar që të merren masat sanitare të pastrimit gjeneral, bazuar në udhërin e prokurorit për t’i inspektuar këto vende”, konfirmoi kryeinspektori sanitar.
Mësohet se gjendja e studentëve është stabile dhe pas marrjes së trajtimit mjekësor, të njejtit kanë udhëtuar për Beograd. /Gazeta Sinjali/