Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka bërë të ditur se ka arrestuar një person nën dyshime se mori pjesë në luftën në Siri, raporton Gazeta Sinjali.
Lidhur me këtë kanë reaguar edhe mediat ndërkombëtare teksa kanë raportuar për ngjarjen.
“Një gjykatë e Kosovës vendosi të hënën ta vazhdojë mbajtjen e një shqiptari që dyshohet se iu bashkua një grupi ekstremist në Siri. Gjykata e Prishtinës vendosi në favor të kërkesës së prokurorit për ta lënë të dyshuarin në paraburgim për një muaj. Në një deklaratë thuhet se personi, i identifikuar vetëm si H.S., u largua nga Kosova në nëntor 2015 “për t’iu bashkuar organizatës terroriste ISIS”, përcjell gazeta e njohur amerikane, Washington Post.
“Dhjetëra qytetarë të Kosovës ende mbeten në Siri, shumica prej tyre të veja të ish-luftëtarëve, sipas autoriteteve.
Në dy vitet e fundit Kosova ka riatdhesuar së paku 121 qytetarë të saj, kryesisht gra dhe fëmijë, nga Siria. Shumë nga të rriturit janë akuzuar për vepra të lidhura me terrorizmin dhe janë duke vuajtur dënime me burg.
Më shumë se 400 persona nga Kosova mendohet se u janë bashkuar grupeve ekstremiste në Siri dhe Irak, sipas një vlerësimi të Ministrisë së Brendshme të Kosovës”, shkruan tutje në artikull.