image Dyshohet se i tjetërsuan identitetin ish-policit, këta janë dy zyrtarët që u prangosën në Gjakovë (Foto)

Ekskluzive

Dyshohet se i tjetërsuan identitetin ish-policit, këta janë dy zyrtarët që u prangosën në Gjakovë (Foto)

news image

Rreth katër vjet më vonë, Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës, u ka rënë në gjurmë dy zyrtarëve të Gjendjes Civile në Gjakovë, të dyshuar për tjetërsimin e identitetit të një personi tjetër.

Të dyshuarit u prangosën para dy ditësh, ndërsa ngjarja dyshohet se ndodhi gjatë viteve 2016-2017.

Por kush janë dy zyrtarët e arrestuar dhe si rrodhi ngjarja, Gazeta Sinjali sjellë detaje ekskluzive lidhur me rastin.

Gazeta Sinjali mëson nga burime të sigurta se personat e arrestuar në cilësinë e zyrtarëve të Gjendjes Civile janë Shkelzen Ahmeti i cili punon në Gjakovë dhe Avdyl Nuraj i cili punon në fshatin Rracaj. Ndërsa, personi që i është tjetërsuar identiteti quhet Sokol Abazi nga fshati Ramoc dhe sipas informacioneve dyshohet se ka marrë identitetin e ish-policit, i cili dyshohet se është një qytetar nga Shqipëria.

Dyshohet se Ahmeti e Nuraj e pajisën personin e tretë me identitetin e një personi tjetër (emër i njohur për redaksinë), i cili sipas informacioneve që posedon Gazeta Sinjali, kishte të kaluar kriminale dhe e kishte të pamundur të udhëtonte në Kosovë.

Foto: Shkelzen Ahmeti
Foto: Avdyl Nuraj

Ndaj të dyshuarve është hapur rasti “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

“Gjakovë (NN) 2016-2017  NN. Nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit i PK-së, më 15.9.2020 janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj/kosovarë zyrtarë të Gjendjes Civile, pasi që të njëjtit në sistemin elektronik kanë regjistruar të dhënat e një personi me fotografi të një personi tjetër dhe kanë arritur ta pajisin me dokumente të Kosovës. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, ka njoftuar policia dje me anë të raportit 24 orësh. /Gazeta Sinjali/

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.