Policia e Beratit ka arrestuar sot një person të dyshuar me iniciale B.K., 45-vjeç, nga Kosova, pasi që i njëjti dyshohet se e ka dhunuar nipin e tij tetë vjeçar.
Në njoftimin e Drejtorisë vendore të Policisë së Beratit thuhet se rastin në polici e ka raportuar e motra e të dyshuarit B.K. e cila jeton me fëmijën e saj në Berat.
“Në vijim të punës për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasve të shpallur në kërkim, specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Berat, në bashkëpunim me shërbimet e policisë së Pikës Kufitare Morinë, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit B. K., 45 vjeç, banues në Kosovë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Berat i ka caktuar masën e sigurimit personal ‘Arrest në burg’, për veprën penale ‘Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur’”, thuhet në njoftim.
Sipas policisë, ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi bazuar në ekzaminimet mjeko-ligjore, deklaratat e fëmijës dhe të nënës së tij dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me nipin e tij të mitur 8-vjeçar.
“Materialet në ngarkim të tij janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme”, thuhet më tej në njoftim. /GazetaSinjali/