Të paktën 164 qytetarë të disa fshatrave të Komunës së Deçanit kanë kërkuar ndihmë mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Adem Ukëhaxhaj” në Deçan, nën dyshimin se janë helmuar nga uji, raporton Gazeta Sinjali.
Kjo gjë alarmoi Komunën e Deçanit, kryetari i së cilës, Bashkim Ramosaj, ka njoftuar se pas mbledhjes së Shtabit Emergjent të kësaj komune, janë marrë disa vendime, në mesin e tyre edhe ndërprerja e furnizimit me ujë të pijshëm në fshatrat ku ka banorë të helmuar.
“Në fshatrat Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i Ri, të ndërprehet rrjeti i ujësjellësit deri nesër ku edhe dalin analizat nga instituti. Stafi i QKMF-së ka shtuar kapacitetet dhe po punon pa ndalë në ndihmë të qytetarëve të komunës sonë. Barnatoret edhe pse ditë e diel të gjitha janë të hapura”, shkroi ndër të tjera në Facebook.
Ramosaj u ka uruar shërim të shpejtë të gjithë qytetarëve të cilët kanë simptoma të helmimit, duke i lutur që ta marrin me qetësi, pasi që, sipas tij, gjendja është stabile dhe në kontroll./Gazeta Sinjali/