image Dyfish më shumë shtesa se pagë për dekanët dhe rektorët e universiteteve

Kosovë

Aktuale/ Dyfish më shumë shtesa se pagë për dekanët dhe rektorët e universiteteve

news image

Te disa profesorë në pozita menaxheriale në universitetet publike në Kosovë marrja e shtesave po tejkalon dyfishin e rrogës së tyre bazë. Vetëm shtesat e pesë profesorëve me pozita menaxheriale sillen prej 1805 eurosh, duke e tejkaluar kështu pagën maksimale prej 1492 eurosh, shkruan gazeta “Zëri”.

Dekanët, prodekanët, rektorët dhe prorektorët në universitetet publike në Kosovë janë duke marrë paga të majme mujore nga puna e tyre në këto institucione. Kontribut në rritjen e këtyre pagave janë duke dhënë edhe shtesat, të cilat arrijnë dyfishin e pagës bazë. Duke u bazuar në rezultatet e një raporti të publikuar nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), të ardhurat e stafit menaxherial në universitetet publike në Kosovë janë më të larta se paga e presidentit, siç parashihet ta ketë me ai Ligjin e ri për Paga.

Pagat bazë për stafin akademik të universiteteve publike në Kosovë janë nga 772 euro (asistent) deri në 1.429 euro (profesor i rregullt). Të njëjtit për punën që bëjnë marrin shtesa. Të përkthyera në paga mujore ato mund të arrijnë edhe deri në 3500 euro.

Nga hulumtimi i ORCA-s del se 40% e të ardhurave mujore për profesorët me pozita menaxheriale në UP vijnë nga shtesat që ata marrin./Gazeta Sinjali/