image Dy të dënuar për vrasje në listën e të burgosurve që i fali presidenti

Drejtësi

Dy të dënuar për vrasje në listën e të burgosurve që i fali presidenti

news image

Dy nga shtatë të burgosurit që i ka falur presidenti Hashim Thaçi, ishin të dënuar për vrasje.

Të burgosurit deri para pak ditësh, Luz Allakaj nga Gjakova dhe Muhamet Vishaj nga Deçani janë falur nga presidenti me anë të një dekreti. I pari ishte i dënuar për vrasje të dyfishtë në vitin 2014, përfshirë një të mitur, ndërsa i dyti ishte dënuar me 15 vjet burgim për dy vrasje në vitin 1999. Kësisoj, Luz Allakajt i janë falur tri vjet e gjashtë muaj burgim, ndërsa Muahmet Vishajt dy vjet burgim, raporton Gazeta Sinjali.

Luz Allakaj ishte dënuar për shkak se – sipas aktakuzës – më 1 gusht të vitit 2014 në fshatin Marmull, me dashje dhe nga hakmarrja e kishte privuar nga jeta të miturin P. H. dhe 45-vjeçarin H.H.

Ndërkaq i falur nga presidenti është edhe Muhamet Vishaj, të cilit Gjykata Supreme në shtator të vitit 2012 ia kishte vërtetuar aktgjykimin prej 15 vitesh burgim.

Gjykata Supreme e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e parashtruar në emër të Vishajt, duke e vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.

Muhamet Vishaj fillimisht ishte dënuar me 15 vjet burgim nga Gjykata e Qarkut në Pejë për vrasjen e Luan Vishajt dhe Dan Kilajt në tetor të vitit 1999 në rrugën Deçan-Llukë.

Gazeta Sinjali raportoi se Thaçi i ka falur shtatë të burgosur me një dekret të nxjerrur para pak ditësh. /Gazeta Sinjali