Dy kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Enderon Vuthaj dhe Arlind Shefiku, janë përzgjedhur për të studiuar në Akademinë e Forcave Ajrore dhe Akademinë Ushtarake të SHBA-së në West Point, shkruan Gazeta Sinjali.
Ministria e Mbrojtjes ka deklaruar se dy kadetët me suksesin e tyre kanë nderuar dhe bërë krenar Kosovën dhe shpresojnë që pas katër vitesh të kthehen për ti shërbyer vendit.
“Studentë-kadetët e rinj, Enderoni dhe Arlindi, me suksesin e tyre kanë nderuar dhe bërë krenar Kosovën dhe urojmë që pas katër vite të studimeve me dijen dhe shkathtësitë e tyre të kthehen për ti shërbyer vendit tonë.
SHBA, si partneri ynë kryesor strategjik vazhdon përkrahjen gjithëpërfshirëse për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës që nga fusha e arsimimit dhe trajnimit, donacionet në pajisje, këshillime profesionale e deri te stërvitjet dhe operacionet e përbashkëta”, thuhet ndër të tjera në njoftim./Gazeta Sinjali/